Sot janë bërë një vit nga që nga marrëveshja e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, e lidhur me këtë zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë se Serbia ende refuzon ta nënshkruajë dhe zbatojë atë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Zëvendkryeministri Bislimi ka shtuar se gjatë kësaj periudhe Kosova është përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal të marrëveshjes dhe qasjen e vazhdueshme destruktive.
Tutje ai ka thënë se plot 5 herë është ofruar nënshkrimi i marrëveshjes, por që gjithmonë siç thotë ai është refuzuar nga Serbia, derisa thekson se poashtu ka shkelur 8 nene të Marrëveshjes Bazike.
“Ende pa zbatim të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues të Ohrit. Kur do të duhej të ishim në rrugën e drejtë të zbatimit të plotë dhe pa kushte të Marrëveshjes së Brukselit, shënojmë një vit nga dita kur u dakordua ajo, dhe Serbia ende refuzon ta nënshkruajë e rrjedhimisht dhe zbatojë marrëveshjen. Përkundrazi, përgjatë kësaj periudhe një vjeçare jemi përballur me shkeljet e Serbisë, eskalimet e saj në terren, refuzimin verbal dhe zyrtar të marrëveshjes dhe qasjes së vazhdueshme destruktive”.
“Me 27 shkurt në Bruksel, me 18 mars në Ohër, me 14 shtator në Bruksel, me 26 tetor në Bruksel, me 8 shkurt në New York, plot pesë herë u ofrua dhe publikisht nënshkrimi i marrëveshjes, por u refuzua. Përtej kësaj, Serbia ka shkelur tetë nene të Marrëveshjes Bazike, preambulën e saj dhe nene të Aneksit Implementues”, ka thënë Bislimi.
Në postimin e bërë në Facebook, Bislimi shkruan se poashtu janë shtanazhuar e kërcënuar serbët e Kosovës që të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit të vitit të kaluar, poashtu ka përmendur sulmet ndaj institucioneve të Kosovës, e si dhe atë ndaj ushtarëve të KFOR-it e gazetarëve, dhe sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.
Siç thotë Bislimi, pas gjithë këtyre sjelljeve u dëshmua se Serbia po e pengon avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhëneve dhe njohjes reciproke.
Zëvendkryeministri i Kosovës thotë se vendi ynë po qëndron kontruktiv dhe i angazhuar në rrugëtimin për zbatim të plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, gjë për të cilat ai thotë se duhet të bëhen sa më parë.
“Pas dakordimit të Brukselit dhe Ohrit, shantazhuan e kërcënuan serbët e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet lokale të prillit, sulmuan një muaj më pas institucionet tona, KFOR-in dhe gazetarët, rrëmbyen brenda territorit tonë tre zyrtarë policorë, sulmuan veriun e shtetit tonë me 24 shtator në aktin e agresionit të Banjskës, afruan trupat ushtarake përreth kufirit tonë dhe si kërcënim i qartë dhe i hapur deklaruan se nuk do ta njohin sovranitetin e integritetin territorial të Republikës së Kosovës, si dhe zyrtarisht me shkrim konfirmuan refuzimin e Marrëveshjes së Brukselit përmes letrës së kryeministres Brnabiq në dhjetor”.
Në vetëm një vit, të gjitha këto akte e sjellje, dëshmuan se Serbia po e pengon fuqishëm avancimin në rrugën drejt normalizimit të plotë të marrëdhënieve e njohjes reciproke.
Kosova nga ana e saj, qëndron konstruktive dhe e angazhuar në këtë rrugëtim, në zbatimin e plotë, të drejtë e pa kushte të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, përmes një plani të sekuencimit të balancuar mes palëve. Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i saj Implementues, duhet të zbatohen sa më parë. Rajoni ka nevojë për zhvillim e prosperitet, harmoni e marrëdhënie të mira fqinjësore mes të gjitha shteteve të rajonit”, ka shkruar Bislimi./Reporteri.net/