×
  • Lajme
  • Lajme

    Një vit nga mashtrimi i madh i Mogherinit

    Reporteri
    21 Mars 2019 | 15:54

    Pasditen e 21 Marsit, pikërisht një vit më parë, Kuvendi i Kosovës miratoi Marrëveshjen për demarkimin e kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.


    Marrëveshja kaloi pas katër tentimeve të dështuara për shkak të gjuajtjes me gaz lotsjellës nga ana e deputetëve të lëvizjes Vetëvendosje.

    Në tentimin e pestë, me 80 vota pro, 11 kundër dhe asnjë abstenim, marrëveshja kaloi duke u pasuar me duartrokitje e urime mes deputetëve të pozitës.

    Për tri vite me radhë, kjo marrëveshje kishte trazuar politikën vendore duke u paraprirë edhe me protesta dhe reagime të shumta, shkruan Reporteri.net.

    Megjithatë, pas ardhjes së Ramush Haradinajt në postin e kryeministrit të vendit, i cili kishte qenë një ndër politikanët më të zëshëm, që kishte kundërshtuar këtë marrëveshje, me arsyetimin se Kosova do të jetë humbësja më e madhe në këtë mes, gjërat filluan të ndryshojnë.

    Liderët e vendit bënin thirrje dhe tentonin që të qetësonin opinionin publik që ishte kundër kësaj marrëveshjeje me premtimin se ajo në këmbim do t’u sjellë atyre liberalizimin e vizave.

    Njëjtë kishin deklaruar edhe zyrtarët e BE-së, të cilët përgjatë tri viteve sa marrëveshja kishte mbetur e bllokuar, kishin deklaruar se votimi i kësaj marrëveshje në Kuvendin e Kosovës është kriteri i vetëm përmes së cilit kosovarëve do t’u sigurohej lëvizja e lirë.

    Më e zëshme me këto deklarata natyrisht se kishte qenë edhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian, Federica Mogherini e cila në ditën kur marrëveshja kaloi, në llogarinë e saj në Twitter shkroi se kosovarët tani e kanë të hapur rrugën për në zonën Schengen.

    “Lajme të mira nga Prishtina: Me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, Kosova po shkon drejt liberalizimit të vizave për qytetarët e saj”, kishte shkruar atë kohë Mogherini.

    Mirëpo, edhe një vit pas gënjeshtrës së madhe të Mogherinit, kosovarët vazhdojnë të mbesin populli më i izoluar në Evropë./Reporteri.net/.

     

     

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!