×
  • Lajme
  • Lajme / Protestat e dhunshme

    Një vit nga sulmet ndaj KFOR-it në Zveçan, misioni paqeruajtës: Autorët duhet të mbahen përgjegjës

    Reporteri
    29 Maj 2024 | 8:53

    Një vit më parë, paqeruajtësit e misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO u sulmuan gjatë protestave të dhunshme në komunën e Zveçanit. 93 efektivë u plagosën, disa prej të cilëve me lëndime të rënda.

    Misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR-i ka kujtuar sulmet ndaj pjesëtarëve t në Zveçan nga persona të maskuar e të pamaskuar, disa edhe të armatosur, duke përmendur se Aleanca “është e gatshme ta ruajë paqen”.

    Këto sulme ishin të paprovokuara dhe ishin krejtësisht të papranueshme, thekson KFOR-i në një deklaratë.

    “Sot, ne nderojmë shërbimet dhe sakrificat e bashkëpjesëtarëve tanë, të cilët i vunë jetët e tyte në rrezik për t’i kryer detyrat e tyre për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, në përputhje me mandatin e gjatë të misionit tonë në OKB. Guximi i tyre ndihmoi në stabilizimin e situatës në zonë dhe parandalimin e një përshkallëzimi të mëtejshëm të dhunës”, tha gjeneralmajor Özkan Ulutaş, komandant i KFOR-it.

    NATO thotë se faktet duhet të vërtetohen dhe autorët duhet të mbahen përgjegjës. Pas dhunës, KFOR-i kujton se NATO ka dislokuar rreth 1000 paqeruajtës shtesë dhe forca të blinduara më të rënda në Kosovë.

    “Ne kemi rritur qëndrimin e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Ky ka qenë përforcimi më i madh i kontingjentit tonë në Kosovë në një dekadë; dhe kjo tregon se NATO është e gatshme ta ruajë paqen”, thuhet në deklaratën e KFOR-it.

    “Angazhimi ynë për të kontribuar për sigurinë e qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe për stabilitetin rajonal është i palëkundur. KFOR-i vazhdon t’i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për ta ruajtur një mjedis të sigurt, në përputhje me mandatin e tij sipas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme, për të mirën e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë”, tha gjeneralmajor Ulutaş. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!