×
  • Lajme
  • Lajme

    Një zyrtar i AAK-së qysh para zgjedhjeve e kishte kërkuar koalicionin që e aprovoi sot LDK-ja

    Reporteri
    14 Prill 2020 | 20:05

    Ish-zëvendësministri i Jashtëm Anton Berisha, para se të shpalleshin zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të shkuar, kishte propozuar një koalicion mes LDK-së dhe AAK-së.


    Berisha, që në zgjedhjet e fundit garoi për deputet në listën e AAK-së, në një deklaratë në fund të korrikut të vitit 2019 kishte pohuar se një koalicion mes këtyre dy partive do të ishte më stabili.

    Ai thotë se kishte qenë i vetmi zyrtar i lartë i AAK-së që ka kërkuar një marrëveshje të tillë, shkruan Reporteri.net.

    “Vendimi i sotëm i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-se, për të votuar me një shumice absolute pro koalicionit LDK-AAK, është në përputhje me kërkesën time, para zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, kur unë isha i vetmi zyrtar i lartë që kërkova publikisht një koalicion të tillë”, ka shkruar Berisha në facebook.

    “Atëherë, edhe tani, mendoj se ky është një koalicion i natyrshëm që do të krijojë një stabilitet politik dhe do të mundësojë që raportet me partnerët perëndimor të ruhen dhe zhvillohen konform ideve të Ibrahim Rugovës”, shkruan ai në një reagim pas votimit elektronik që është zhvilluar brenda Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së.

    Kjo pasi një marrëveshje politike, siç ishte propozuar muaj më parë nga Anton Berisha, sot morri aprovim edhe në LDK.

    108 anëtarë të LDK-së i janë përgjigjur pozitivisht kryetarit Isa Mustafës në pyetjen se a pajtohen që kjo parti të marrë mandatin për formimin e qeverisë në koalicion me AAK-në. Por, aprovimi parasheh edhe marrëveshje me Nismën Socialdemokrate dhe me partitë e komuniteteve.

    Ky votim brenda LDK-së i hapë rrugën kryetarit të saj Isa Mustafa që të provojë të krijojë qeverinë e re, pasi kjo parti javë më parë inicioi rrëzimin e Qeverisë Kurti, pjesë e të cilës ishte vetëm rreth 50 ditë. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!