Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Stublla-Haradinaj ka munguar në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Republikës së Kosovës, shkruan Reporteri.net.
Rreth 30 punëtorë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës i janë nënshtruar testimit për të parë se a janë infektuar me Coronavirus, pasi që një zyrtare e Financave në këtë ministri ka rezultuar pozitiv.
Këtë e kanë konfirmuar zyrtarë të Ministrisë për Reporterin, teksa kanë theksuar se kanë marrë edhe një shkresë përmes së cilës njoftohen edhe për shkuarjen ne vetizolim të komplet stafit të Divizionit për Buxhet dhe Financa.
Nga kjo email, dërguar punonjësve, thuhet po ashtu se edhe zyrtarët tjerë që do të dalin në zyre do të jenë të obliguar të mbajnë distancën, maskat si dhe ambientet e ministrisë të jenë dezinfektuar.
E në krejt këtë zhvillim, sot në mbledhjen e Qeverisë ka munguar ministrja Meliza Haradinaj – Stublla.
Reporteri.net ka tentuar të komunikojë me ministren Meliza Haradinaj-Stullba për ta pyetur nëse i është nënshtruar testimit ajo dhe kabineti dhe a është këshilluar që të qëndrojë në vetizolim për dy javë.
Vetë ajo dhe zyrtarë nga kabineti i saj nuk janë përgjigjur në lidhje me këtë. Më herët edhe neper ministri të tjera kishte pasur raste pozitive. Madje në një rast në Ministrinë e Integrimeve, ishte dashur që të vetiziolohet për një ditë edhe ish Kryeministri, Albin Kurti dhe një pjesë e stafit të tij. Këtë informatë e kishte dhënë vetë ai.
Që nga përhapja e pandemisë, në Kosovë janë regjistruar 1,486 raste me COVID-19, ndërsa të shëruar 953 dhe të vdekur 33. Ndërkohë numri i të infektuarve është rritur shumë ditët e fundit. Vetëm në tri ditët e fundit me Coronavirus kanë rezultuar me COVID-19, 161 qytetarë./Reporteri