×
  • Lajme
  • Lajme

    Njerëzit e VV-së e LDK-së takohen këto ditë për t’u marrë vesh për poste

    Reporteri
    15 Tetor 2019 | 20:02

    Që nga takimi i Albin Kurtit me Isa Mustafën e Vjosa Osmanin, grupet punuese të Vetëvendosjes dhe të LDK-së ende nuk e kanë zhvilluar asnjë takim.


    Por, një takim i tillë, për arritjen e koalicionit qeverisës ndërmjet këtyre subjekteve, pritet të ndodhë gjatë kësaj jave.

    Të dyja subjektet i kanë krijuar ekipet punuese – nga Vetëvendosje, Glauk Konjufca e Besnik Bislimi, ndërkaq, nga LDK-ja, Avdullah Hoti, Kujtim Shala dhe Lumir Abdixhiku.

    Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes mohon se ka pasur kushtëzime nga LDK-ja sa i përket ndarjes së ministrive.

    Të njëjtën e thonë edhe në LDK. Ismet Beqiri thotë se disponimi në parti është që të arrihet koalicioni qeverisës me Vetëvendosjen. Por, sipas tij, i rëndësishëm është harmonizimi i programit qeverisës dhe marrja e përgjegjësive në qeveri në bazë të rezultatit zgjedhor.

    Arton Demhasaj nga organizata “Çohu” thotë se, pavarësisht dallimeve, qeveria e re do të krijohet nga Vetëvendosja dhe LDK-ja, raporton KTV.

    LDK-ja dhe Vetëvendosje thonë se do ta zvogëlojnë numrin e ministrive në 12, por duke mos përjashtuar se mund të ketë edhe shtim të edhe një ose dy ministrive.

    Ndryshe, Reporteri.net ka biseduar sot me zyrtarë të VV-së, të cilët kanë mohuar se LDK-ja ka kërkesë konkrete për numër të ministrive.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!