Njeriu i afërt me kryeministrin Albin Kurti, Hysamedin Feraj, ka pranuar se e kishte nderuar me grusht trupin e pajetë të diktatorit Enver Hoxha.
Në një video të postuar javë më parë, Feraj shihet teksa bën homazhe pranë trupit të pajetë të Enver Hoxhës.
Feraj kishte dal madje edhe kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke ftuar për mos bindje ndaj thirrjes së tyre që të hiqet taksa në tërësi dhe pa kushte.
Në një postim të gjatë, Feraj, jep shpjegim se pse kishte bërë respektin me grusht para trupit të pajetë të diktatorit Enver Hoxha.
Statusi i plotë i Hysamedin Feraj:
Jetë paralele:
Respekti i Isa Mustafës para varrit të Titos dhe respekti im para arkivolit të Enver Hoxhës: dy jetë paralele.
Në vitin 1981 kam ikur nga Kosova në Shqipëri, nga Isa Mustafa tek Enver Hoxha. Sepse Enver Hoxha përkrahte kërkesën time: Kosova Republikë! Sepse Isa Mustafa me policinë jugosllave më ndiqnin me pranga në brez për kërkesën time: Kosova Republikë!
Si student i ri, unë nuk kisha asnjë funksion të lart në regjimin e diktatorit Enver Hoxha. Si politikan i pjekur Isa Mustafa kishte funksion ta lart në regjimin e diktatorit Sllobodan Millosheviq.
Unë me Enver Hoxhën që denonconte krimet e policisë dhe të ushtrisë së Millosheviqit kundër shqiptarëve. Isa Mustafa me policinë dhe ushtrinë e Millosheviqit që terrorizonte shqiptarët.
Unë, ”enveristi” duke përshëndetur me grusht para një diktatori që mbështeste kërkesën e Kosovës për Republikë, “enveristi” i dikurshëm, Hashim Thaçi, duke përshëndetur para sloganit të diktatorit Sllobodan Millosheviq, që UÇK-në e quante terroriste dhe Kosovës ia hoqi autonominë.
Unë kundër Enver Hoxhës, që kur e pashë se mbrojtjen e Kosovës e kishte me hile. Ata të dy me zëdhënësin e Millosheviqit, që kur e panë se shkatërrimin e shtetit të Kosovës e ka seriozisht e pa hile.
Unë me Enver Hoxhën, që gabimisht e identifikoja me Shqipërinë, ata kundër Shqipërisë, që gabimisht (e ndoshta me ligësi) e identifikojnë me Enever Hoxhën.
Gjithsesi, unë me Shqipërinë pavarësisht regjimit, ata me Jugosllavinë e Serbinë pavarësisht regjimit.
Ata përherë me funksione të lart politikë, president e kryeministra shteti, unë përherë pa asnjë post shtetëror-politik. (Kot, sa për dijeni: nuk jam këshilltar i kryeminsitrit Kurti).
Jetë të tilla paralele ka shumë në Kosovë. Për shembull ,“enveristi” Adem Demçi në burgjet e Jugosllavisë, millosheviqiani Sinan Hasani në krye të Jugosllavisë.
Por jeta ime nuk ka qenë kulluar paralele me jetët e Isa Mustafës e të Hashim Thaçit, sepse paralelet nuk takohen. Ndërsa jeta ime me Isa Mustafën është takuar kur të dy përkrahnim Rugovën, dhe me të Hashim Thaçit kur të dy përkrahnim luftën e armatosur të Kosovës.
Jetët tona u bënë sërish paralele kur të dy ata, në krye të pushtetit politik, nisën zhvatjen e pasurive kombëtare dhe zhveshjen e shtetësisë së Kosovës. Ndërsa unë pa asnjë post politik megjithatë vazhdova e do të vazhdoj në mbrojtje të pasurive kombëtare dhe të forcimit të shtetësisë së Kosovës.
Paralelizmi mbetet në vijim. Fotot e videot e publikuara në rrjetet sociale veç e ilustrojnë këtë ndarje të madhe jetësh paralele në të shkuarën, dhe i paralajmërojnë në të ardhmen.
Sidoqoftë, po të vendosen në termat e së shkuarës, konfliktet e sotëm nuk janë ndërmjet “enveristëve” dhe “titistëve”, por ndërmjet nacionalizmit shqiptar të mbrojtur nga unë, dhe nacionalizmit serb të përfaqësuar nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa. Kur është fjala për Kosovën, qëndrimi jashtë këtyre dy nacionalizmave është i pamundur.