Në shkelje me Rregulloren e Procedurës dhe Provave para Dhomave të Specializuara të Kosovës është duke u konsideruar nga njohës të drejtësisë njoftimi i së mërkurës për aktakuzën ndaj presidentit Hashim Thaçi dhe ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli.
Sipas Zyrës së Prokurorit të Specializuar, publikimi i njoftimit është bërë pasi “besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë”.
Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, dhe avokati Tahir Rrecaj, thonë se publikimi i emrave të të dyshuarve do të duhej të bëhej pas konfirmimit të aktakuzës nga gjyqtari, raporton KOHA. Sipas Miftarajt e Rrecajt, bërja publike e dorëzimit të aktakuzës mund të ketë pasoja për Prokurorin e Specializuar.
Rregullorja e Dhomave të Specializuara sqaron edhe rastet kur aktakuza mund të mos bëhet publike edhe nëse ajo konfirmohet nga gjyqtari.
“Në rrethana të posaçme, në rast se para konfirmimit të aktakuzës Prokurori i Specializuar paraqet arsye të vlefshme, për arsye të sigurisë, për parandalimin e arratisjes së të akuzuarit, apo të çrregullimit të procedurave, ose trazirave shoqërore, gjykatësi i procedurës paraprake, ndër të tjera, mund të urdhërojë përkohësisht mosnxjerrjen publike të aktakuzës, dokumenteve ose informacionit që ka lidhje me aktakuzën deri në një urdhër të dytë.
Sidoqoftë, aktakuza bëhet publike nëse është e nevojshme me redaktime, jo më vonë se paraqitja e parë e të akuzuarit. (3) Pavarësisht nga paragrafi (2), Prokurori i Specializuar mund t’ua bëjë të njohur aktakuzën ose një pjesë të saj autoriteteve të një shteti të tretë apo subjekti tjetër në qoftë se e gjykon të nevojshme për hetimin ose ndjekjen penale”, thuhet në rregullin për Statusin Publik të Aktakuzës.
Publikimin e aktakuzës e kanë cilësuar shkelje edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së. Kreu i saj, Hysni Gucati, madje ka paralajmëruar inicimin e shfuqizimit të Gjykatës Speciale.
Lidhur me aktakuzën ndaj presidentit Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Veseli, KOHA ka pyetur edhe në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe Dhomat e Specializuara. Por të njëjtët nuk kanë shpalosur detaje gjatë së enjtes.
Sipas njoftimit të së mërkurës të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Hashim Thaçi e Kadri Veseli dyshohen për një sërë krimesh kundër njerëzimit dhe krime lufte, ndër të cilat: vrasje të paligjshme, zhdukje të detyruara të personave, përndjekje dhe tortura.