Gjatë ditës së djeshme, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i ka bërë dy ftesa kryetarit të VV-së, Albin Kurtit për takim konsultativ për të caktuar mandatarin për formimin e qeverisë së re.
Që të dy këto ftesa u refuzuan nga kreu i VV-së i cili tha se sigurisht që do të takohet me Thaçin, por që paraprakisht ka potencuar se do të shqyrtoj nenet që janë përmendur në letrat e Thaçit.
Profesori universitar dhe njohësi i Kushtetutës së Kosovës, Mazllum Baraliu u shpreh se ”Kushtetuta thotë që presidenti bën konsultimet e duhura për të qartësuar që partia fituese i ka apo jo numrat për ta bërë qeverinë”.
Sipas Baraliut, fillimisht bëhen konsultimet e më pas është bindja e presidentit si i autorizuar me Kushtetutë, ta bëjë mandatimin.
“Kurti do të duhej të përgjigjej domosdoshmërisht në thirrjen e tij”, tha Baraliu, duke shtuar se është obligim i subjektit politik dhe pretendentit për kryeministër që t’i përgjigjet ftesës.
Sipas tij, Kushtetuta e lejon më pas edhe një afat 10 ditor që e lejon Thaçin nga argumentet që i ka, t’ia japë mandatin të njëjtit person, pra Kurtit, ose një tjetër personi, por gjithmonë nga partia fituese.
“Bashkë me ofertën që i jepet presidentit nga partia fituese për mandatar, duhet të jetë edhe një listë shtojcë e emrave e mbiemrave të paktën të 61 deputetëve që janë të gatshëm ta votojnë këtë qeveri”, tha ai.