Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se një nga arsyet kryesore pse vendosën të mos marrin pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit, ishte mungesa e mjeteve financiare, duke theksuar koston e fushatës zgjedhore.
Në një intervistë për emisionin “Spotlight”, prodhim i Gazetës Online Reporteri.net, krahas parave, Molliqaj si arsye ka përmendur edhe përqindjen e mbështetësve, që thotë se ishte e pamjaftueshme për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës.
“Nuk i kemi pas paret për me e provu fatin qysh thojnë ndonëse unë nuk besoj në këtë shpjegim të politikës, po as paret nuk i kemi pas”, ka deklaruar Molliqaj.
Ai tha se po t’i kishin më shumë mbështetës, do të garonin në zgjedhje.
“Po të kishim 5 përqind, ne jemi të sinqertë, do të ishim pjesë e garës”, ka shtuar Molliqaj.
Molliqaj ka deklaruar se kanë pasur oferta për koalicione pothuajse nga të gjitha partitë, por se i kanë refuzuar.
“Kemi pas oferta për koalicione pothuajse prej të gjitha partive parlamentare, kemi refuzu në parim pjesëmarrjen në koalicione. Jo për shkak të moralit që e ka vendos Vetëvendosja mbi këto parti, por për shkak pse s’kemi pas kauzë të përbashkët, qasje të përbashkët edhe kemi dallime ideologjike”, ka thënë Molliqaj./Reporteri.net