“E kam letërnjoftimin e Republikës së Kosovës dhe kam aplikuar me letërnjoftim të Republikës së Kosovës”, është deklaruar për Albanian Post, Përparim Rama, kandidat për Kryetar të Komunës së Prishtinës, nga LDK, për zgjedhjet e 17 tetorit.
“Nuk kam ide, çka ka ndodhë”, vazhdon më tej Rama duke dëshmuar se letërnjoftimin e Republikës së Kosovës e ka që nga qershori i këtij viti.
“E kam marrë dokumentin nga Ministria e Punëve të Brendshme. Tash në qershor e kam marrë letërnjoftimit, shihet data në letërnjoftim”, ka shpjeguar Rama.
Kandidatit për kryetar të Komunës së Prishtinës, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Përparim Rama, i ka dalë “problem” për tu certifikuar si kandidat garues për të parin e Prishtinës.
Kështu ka raportuar Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë, në një komunikim zyrtarë me LDK-në ku kanë cekur disa parregullsi dhe mungesa të dokumenteve të kandidatëve në garë në komuna të ndryshme, për pozita të ndryshme nga kjo parti.
“12. Kandidati me numër rendor 1 në listë të kandidatëve për Kuvend Komunal dhe kryetar të Komunës për Komunën e Prishtinës, i figuron numri personal sipas letërnjoftimit të UNMIK-ut dhe jo RKS”, thuhet në një dokument zyrtarë të KQZ-së për LDK-në.
Rama i hedh poshtë të gjitha këto pretendime, duke thënë që edhe aplikacioni është plotësuar komfor numrave të cilat i ka në dokumentet personale, zyrtare të Republikës së Kosovës.
“Ka mundësi që ata në ministri kanë bo gabim në numër, se unë e kam pas letërnjoftimin e UNMIK-ut përpara, e ndoshta ata në Qendër të Regjistrimit kanë mund të gabojnë në numra, por ajo nuk është kompetencë e imja”, tha Rama.
“Numrat në aplikacion të KQZ-së, janë saktësisht qysh figurojnë në letërnjoftimin tim të Kosovës”, ka përfunduar Përparim Rama, në një prononcim të shkurtër për Albanian Post.
Duke u mbështetur në planin operacional të miratuar nga KQZ-ja, më 17 gusht Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim ka filluar të njoftojë subjektet politike lidhur me përmirësimet apo korrigjimet që duhet të bëjnë. Kjo është një mundësi që e jep ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe ligji për zgjedhjet lokale që subjektete politike të paraqesin përmirësimet/korrigjimet brenda afatit të caktuar nga Zyra, ka thënë Valmir Elezi, zyrtar për medie në KQZ.
“Zyra ka zhvilluar komunikim të tillë me të gjitha subjektet politike, tek të cilat është evidentuar ndonjë gabim/mungesë dokumentacioni që duhet të përmirësohet/korrigjohet”, ka shpjeguar më tej Elezi.
Pas kësaj faze, si dhe pasi të përmbyllim procesin e verifikimit të kandidatëve nëse janë në përputhje me Nenin 29 të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, Zyra do të paraqesë në KQZ rekomandimet për certifikim ose jo të ndonjë kandidati.
“Si gjithmonë, mbledhjet janë të hapura për mediat dhe do të mund të përcjellin procesin e vendimmarrjes së KQZ-së”, ka sqaruar për fund zëdhënësi i KQZ-së.