Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka refuzuar të komentojë akuzat e lëshuara sot nga Zyra e Kurtit.
Zyra e Kryeministrit, në një përgjigje drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale për ta intervistuar kryeministrin Albin Kurti në cilësinë e dëshmitarit lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore, ka drejtuar akuza ndaj Prokurorisë, teksa është marrë specifikisht me Kryeprokurorin Blerim Isufaj dhe e ka cilësuar si politike ftesën nga Prokuroria.
Gazeta Online Reporteri.net e ka pyetur Kryeprokurorin Isufaj për këto akuza, mirëpo i njëjti s’ka dashur të komentojë.
“Nuk komentoj fare”, është përgjigjur shkurt Isufaj.
ZKM ka thënë se Prokuroria po tenton të krijojë një perceptim të rrejshëm kundër kryeministrit Kurti.
“Një gjë e tillë është motivuar edhe nga qëndrimi publik i Kryeministrit kundër propozimit për emërim të z. Blerim Isufaj si kryeprokuror i shtetit. Rrjedhimisht, nuk mund të mos shohim çdo veprim të Prokurorisë Speciale si politikisht të motivuar e publikisht të paarsyetuar”, thuhet në përgjigje.
ZKM ka kërkuar nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit, duke thënë se duhet të merret parasysh “agjenda e tij është e ngjeshur”.
Aty thuhet se Kurti ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij.
“…intervistimi nga Prokuroria mund të bëhej që në muajin dhjetor të vitit 2024, kur është bërë ftesa. Megjithatë, Prokuroria ka zgjedhur që, në vend të efikasitetit të humb kohë në dëm të përfundimit të procedurës së hetimit, të prolongojë çdo veprim e të mbetet pa përfundime të rëndësishme për publikun, vetëm për të arritur projeksionet politike, të dëmshme e të pafalshme për një sistem të pavarur të drejtësisë. Duke marrë parasysh sa më sipër, Zyra e Kryeministrit thekson edhe njëherë që Kryeministri ka qenë dhe mbetet i gatshëm të japë dëshminë e tij. Kërkesa e tij që kjo të ndodhë në ambientet e Zyrës së Kryeministrit është plotësisht e arsyeshme dhe nuk mund të interpretohet si shmangie nga drejtësia. Në dritë të kësaj, me respekt kërkojmë nga Gjykata që të obligojë Prokurorinë Speciale të marrë dëshminë e kërkuar, brenda Zyrës së Kryeministrit”, thuhet në përgjigje.
Ndryshe, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në Gjykatën Themelore të Prishtinës kërkesën që Kryeministri Albin Kurti të paraqitet për intervistim si dëshmitar lidhur me skandalin e Rezervës Shtetërore.
Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës, Mirlinda Gashi. Gashi ka thënë se kërkesa po shqyrtohet nga gjykata.
“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, ka thënë Gashi.
Qeveria e Kosovës pranoi ftesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për intervistim të Kurtit më 12 dhjetor. Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu e cilësoi si tentim ndikimi në rezultatin e zgjedhjeve 2025.
Në thirrjen e Prokurorisë Speciale thuhej se Kryeministri Kurti duhet të paraqitet për intervistim të hënën e 16 dhjetorit në ora 09:30. Mirëpo, ai nuk u paraqit për intervistim./Reporteri.net