Në tubimin e mbajtur sonte në Gjilan, Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe për Autostradën e Gjilanit, ndërtimi i së cilës ka filluar qysh në vitin 2018. Në fund të korrikut ë vitit 2023, Kryeministri Albin Kurti, pasi kishte mbikëqyrur punimet, kishte premtuar se autostrada do të lëshohej po atë vit, gjë që nuk ka ndodhur ende. Këtë herë, ai nuk është lëshuar në afate kohore se kur do të përfundojë.
Kurti sonte është zotuar për krijimin e një grupi punues që do të merret ekskluzivisht me punimet në këtë autostradë dhe stadiumin e qytetit, siç tha, që të kryhen sa më parë që është e mundur dhe si është më së miri, shkruan Reporteri.net.
“Autostrada e Gjilanit do të bëhet. Autostradën do ta bëjmë edhe atë jo vetëm deri në Gjilan, por deri tek Dheu i Bardhë, sepse na duhet në mënyrë jetike… Personalisht si kryeministër do ta formoj këtë grup që do të merret me punët dhe mbikëqyrjen ekskluzivisht për Autostradën e Gjilanit dhe Stadiumin e Gjilanit”, tha Kurti para qytetarëve në këtë qytet.
Mbikëqyrjen e punimeve në këtë autostradë, Kurti e kishte bërë më 21 korrik 2023. Po atë ditë, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti kishte thënë se kanë përfunduar mbi 70 përqind e punimeve dhe se punët do të përfundonin po atë vit.
“Kanë përfunduar mbi 70% të punimeve. I vizituam tre llotet. Llotin e parë në gjatësinë mbi 4.8 km, llotin e dytë 2.5 km dhe llotin e tretë 2.2 km, me ç’rast e pamë edhe punën që po bëhet për nënkalimin ndërmjet llotit të parë dhe llotit të dytë që në këtë mënyrë do të mundësojë edhe lidhjen e fshatrave Smallushë dhe Sllovi që të kenë gjithashtu qasje. Gjithsej kjo pjesë do të ketë gjatësinë prej 22.8 km, prej Banullës në Lipjan te Bresalci në Gjilan”, kishte shkruar Kurti.
Në tetor të vitit 2024, Ministri i Infrastrukturës, Libur Aliu, kishte thënë se premtimi i Kurtit për përfundimin e autostradës Prishtinë – Gjilan brenda vitit 2023 ishte bërë bazuar në informacione të gabuara.
Aliu kishte sqaruar se vetë ministria kishte gabuar në raportimet e saj nga terreni.
“Tek zotimi i Kurtit se autostrada Prishtinë – Gjilan po bëhet dhe hapet këtë vit, ka qenë bile 28 nëntor, ka qenë një gabim. Ka qenë gabim që është premtuar kësisoji, sepse është vu në lajthitje kryeministri nga vetë ne si ministri të themi për shkak se i është besuar të themi situatës, raportimit të përqindjes së fundit që janë…Viti 2022 ka qenë vit jashtëzakonisht i vështirë për shkak të luftës në Ukrainë dhe ndryshimit të madh të çmimeve.”, kishte deklaruar Aliu.
Në vitin 2018, është thënë se kjo autostradë, buxhetit të Kosovës, do t’i kushtojë 87 milionë euro. Por, në Ligjin për ndarje buxhetore të vitit 2024, figuronte se vlera totale e kësaj autostrade është rreth 129 milionë euro.
Kjo autostradë pritet të lidhë Kosovën me Serbinë Jugore, përkatësisht me Luginën e Preshevës./Reporteri.net