Valët e të nxehtit do të bëhen gjithnjë e më të shpeshta dhe më të forta në të ardhmen, si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga njeriu, ka deklaruar Organizata Botërore Meteorologjike (WMO). Paralajmërimi vjen në një kohë kur pjesë të mëdha të Evropës po përjetojnë temperatura përvëluese në kulmin e verës.
“Si pasojë e ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, vala e të nxehtit po bëhet gjithnjë e më e shpeshtë dhe më intensive. Është diçka me të cilën do të na duhet të mësojmë të jetojmë. Çfarë mund të presim në të ardhmen? Më shumë nga e njëjta, ndoshta edhe më keq”, përfundoi Nullis.
Zëdhënësja e WMO-së, Clare Nullis, deklaroi në një konferencë për shtyp në Gjenevë se korriku është zakonisht muaji më i nxehtë në hemisferën veriore, por episodet e valëve ekstreme të të nxehtit që po ndodhin kaq herët në verë janë të jashtëzakonshme edhe pse jo të paprecedenta.
“Vrasësi i heshtur”, çfarë duhet të dini rreth të nxehtit ekstrem që ka përfshirë Evropën
“Vapa ekstreme shpesh cilësohet si vrasësi i heshtur, pasi numri i viktimave është zakonisht i nënvlerësuar në statistikat zyrtare, krahasuar me, për shembull, një ciklon tropikal. Është e rëndësishme të theksojmë se çdo vdekje nga nxehtësia është e shmangshme: kemi dijet, kemi mjetet dhe mund të shpëtojmë jetë”, u shpreh Nullis.
Sipas saj, Evropa Perëndimore po ndikohet nga një sistem i fuqishëm presioni të lartë, i cili po mban ajrin e nxehtë të ardhur nga Afrika e Veriut mbi rajon.
Një faktor tjetër që po përforcon valën e të nxehtit është temperatura e lartë e detit Mesdhe.
“Po përballemi me një valë të nxehti detare të jashtëzakonshme, e cila ndikon drejtpërdrejt edhe në temperaturat mbi tokë”, tha Nullis.
Gjithashtu, ajo theksoi se efekti i “ishullit urban të nxehtësisë” e përkeqëson situatën në qytete, ku mungesa e gjelbërimit dhe sipërfaqet prej betoni e përthithin dhe e reflektojnë nxehtësinë.