Opozita ka arritur të mbledhë 42 nënshkrimet e nevojshme për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme, për të diskutuar për qasjen e Qeverisë ndaj SHBA-së.
Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca të mbahet në ora 15:00, ashtu siç kërkoi dje kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në një konferencë për media, shkruan Reporteri.net.
Deputeti i PDK-së, Memli Krasniqi, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë ka thënë se Kuvendi e ka për obligim të mblidhet dhe ta diskutojë këtë çështje, sepse kjo shënon pikën më të ulët të marrëdhënieve me SHBA-në prej se ekziston.
“Do të ketë debat parlamentar për rrezikimin e miqësisë me SHBA. Tash çdo ditë kemi deklarime nga përfaqësues të shtetit amerikan për mundësinë jo vetëm për suspendim të mjeteve, por edhe për tërheqjen e mundshme të trupave ushtarake nga Kosova. Kuvendi e ka për obligim dhe duhet të mblidhet për këtë çështje. Ne si opozitë nuk kemi mundur të qëndrojmë duarkryq ndaj këtyre zhvillimeve”, tha Krasniqi.
Dje Veseli, në një konferencë për media tha se kryeministri Albin Kurti është “i paaftë” dhe “po e rrezikon aleancën e Kosovës me SHBA-në”.
Siç tha ai për ta parandaluar një dëm të tillë, së bashku me deputetët e partive të tjera opozitare, kanë ftuar për sot në orën 15, një seancë të jashtëzakonshme, për të kërkuar llogari siç tha nga kjo Qeveri e papërgjegjshme në raport me qasjen e saj ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Si asnjëherë më parë, kjo aleance e shenjtë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës po vihet në rrezik nga një Kryeministër i paaftë për të kuptuar e vepruar drejt, nga një Kryeministër pa vizion e pa përgjegjësi. Për fat të keq, gjithnjë e më shumë po vërtetohet se kjo Qeveri është rrezik për interesin e përgjithshëm nacional. Ky rrezik vjen nga kjo Qeveri që ka mungesë të gatishmërisë për të marrë përgjegjësi dhe vendime në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Dëmi që po shkakton është i rëndë”, tha Veseli në konferencën për media pas mbledhjes së kryesisë së partisë. /Reporteri.net/.