×
  • Lajme
  • Lajme

    Opozita nën kërcënimin e Vetëvendosjes: Diasporës nga sot ia mundësojmë të votojë nëpër ambasada, nëse s’votohet presidentja, shkojmë në zgjedhje

    Reporteri
    02 Prill 2021 | 15:51

    Lëvizja Vetëvendosje ka vënë nën kërcënim opozitën, pasi kanë vendosur që sot ta ndryshojnë ligjin për zgjedhjet ku do t’i mundësohet diasporës të votojnë nëpër ambasada dhe konsullata, dhe pastaj menjëherë të shkohet me zgjedhjen e presidentes Osmani, dhe nëse kjo dështon, vendi do të dërgohet sërish në zgjedhje.


    Koalicioni i Lëvizjes Vetëvendosje, në krye me Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin, nuk është se po mundohen shumë t’i sigurojnë votat që Osmanin ta bëjnë presidente, dhe fokusin kryesor e kanë vendosur te ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet, ndryshim i cili i mundëson diasporës që të votojnë nëpër objektet e ambasadave dhe konsullatave në vendet në të cilat jetojnë, shkruan Reporteri.net.

    Me vendim të Kryesisë së Kuvendit është proceduar ndryshimi i këtij ligji, dhe menjëherë aktivizuar qeveria Kurti, e cila në procedurë të përshpejtuar do ta dërgojë këtë ligj në Kuvend, për miratim.

    Vetëvendosje përmes shefes së grupit të tyre parlamentar Mimoza Kusari – Lila, ka njoftuar se pas miratimit të amendamentit të këtij ligji, gjatë ditës së sotme do të procedohet edhe me zgjedhjen e presidentes Osmani.

    Ligji pritet që të ndryshohet sot, e nëse zgjedhja e presidentes Osmani dështon, atëherë vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme.

    Në këtë rast, Vetëvendosje e ka vendosur opozitën nën presionin e dërgimit të serishëm në zgjedhje nacionale, me besimin se koalicioni Kurti-Osmani do të arrijë të marrë vota edhe më shumë se sa në zgjedhjet e 14 shkurtit, pasi pjesëmarrja e diasporës në zgjedhjet e reja do të ishte edhe më e madhe. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!