Kryetari i partisë opozitare për “Liri dhe Drejtësi” në Serbi, Dragan Gjillas ka thënë se “nuk e ka parë” propozimin e përfolur franko-gjerman për zgjidhjen e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, por u shpreh se “nëse ekziston” atëherë “i bëjmë thirrje përfaqësuesve të BE-së të na sjellin opozitës për ta parë”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Siç lajmëroi kjo parti, Gjilas i ka thënë televizionit serb Nova S se “Serbia duhet të jetë pjesë e BE-së dhe procesi integrues duhet të përshpjejtohet”, derisa shtoi se “të vetmen gjë që nuk mund ta diskutojmë është njohja e pavarësisë së Kosovës”.
“U bëj thirrje njerëzve nga Evropa që qëndrojnë pas [këtij propozimi] të kuptojnë se këtu ka edhe një opozitë dhe të na tregojnë edhe propozimin, nëse ka, që ne të themi atë që mendojmë, sepse edhe ne përfaqësojmë njerëz në këtë vend. Ky qëndrim i botës sikur të ketë vetëm një parti në Serbi dhe vetëm një adresë për të biseduar na ka çuar në shumë probleme. Serbia duhet të jetë në Bashkimin Evropian dhe ai proces duhet të përshpejtohet, sepse kemi 20 vite që presim”, tha Gjillas.
Ai shtoi se “e vetmja gjë për të cilën nuk mund të flasim është njohja e pavarësisë së Kosovës, si dhe atë që Serbia ta ndihmojë Kosovën të hyjë në Kombet e Bashkuara”.
“Ai vendim nuk varet nga ne, por nga anëtarët e Këshillit të Sigurimit. Do të jetë interesante të shihet qëndrimi i Rusisë për këtë tani, sepse ata iu referuan vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, duke justifikuar të drejtën e rajoneve në Ukrainë për t’u ndarë dhe bashkuar me Rusinë”, tha Gjillas./Reporteri.net/