×
  • Lajme
  • Lajme / Sanksionet

    Orav s’ka përgjigje se kur pritet të hiqen masat e BE-së ndaj Kosovës: Diskutimet brenda Këshillit po vazhdojnë

    Reporteri
    18 Prill 2025 | 10:47

    Ambasadori i BE-së në Kosovë, Aivo Orav, tha se për masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës nuk ka “një përgjigje përfundimtare”.

    Ai përmendi rekomandimin e ish-Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell, për heqjen e tyre dhe tha se diskutimet brenda Këshillit Evropian vazhdojnë.

    “Kam frikë se nuk mund t’i jap një përgjigje përfundimtare kësaj pyetjeje. Siç e dini, ish-Përfaqësuesi i Lartë i rekomandoi Këshillit në qershor 2024 heqjen e masave. Më pas, në dhjetor 2024, Këshilli në konkluzionet e tij për zgjerimin deklaroi se BE-ja gradualisht do t’i heqë masat paralelisht me hapat e mëtejshëm të Kosovës për të de-përshkallëzuar tensionet në veri. Diskutimet brenda Këshillit vazhdojnë dhe vendimi nëse masat do të hiqen përfundimisht i takon 27 vendeve anëtare të BE-së, pasi një vendim i tillë kërkon konsensus”, tha ai për Kosovo Online.

    Orav tha se Përfaqësuesja e re e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, dëshiron që Kosova të përparojë në rrugën e saj drejt BE-së.

    “Kusht thelbësor për rrugën drejt BE-së si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë është normalizimi i marrëdhënieve dhe zbatimi i zotimeve të dialogut”, përsëriti ai thirrjet e Unionit për Kosovën e Serbinë.

    Në fillim të muajit Komisioni për Punë të Jashtme i Parlamentit Evropian ka miratuar  draft-raportin për progresin e Kosovës drejt BE-së gjatë viteve 2023-2024.

    Eurodeputetët e Komisionit për Punë të Jashtme kanë bërë thirrje për heqjen e menjëhershme të masave të BE-së ndaj Kosovës, të cilat kanë thënë ata nuk justifikohen më pasi Kosova ka përmbushur kërkesat e BE-së.

    Eurodeputetët nënvizuan se masat janë në kundërshtim të madh me përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave evropiane dhe po pengojnë rifillimin e dialogut Beograd-Prishtinë në mirëbesim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!