Kur kanë mbetur edhe pak orë nga konfirmimi ose jo i aktakuzës nga Gjykata Speciale për Kadri Veselin e presidentin e vendit Hashim Thaçi, Partia Demokratike e Kosovës, ka thirrur një konferencë të jashtëzakonshme për media për sonte në ora 20:00, shkruan Reporteri.net.
Kjo është bërë e dirur përmes një njoftimi për media nga kjo parti.
“Partia Demokratike e Kosovës mban sonte konferencë për media, nga ora 20:00, në zyret e selisë qëndrore”, thuhet në njoftim.
Në këtë njoftim nuk është bërë e ditur se cilat janë arsyet e thirrjes së kësaj konference.
24 tetori është data e fundit e paraparë ku Gjykata Speciale do të njoftonte nëse ka konfirmuar ose jo propozim-aktakuzën ndaj Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Megjithatë, pyetur nëse në këtë periudhë kohore mund të presim ndonjë verdikt, në përgjigjen e dhënë për mediat, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, nuk pohon e as mohon një gjë të tillë.
Ajo shprehet se një aktakuzë e këso lloji, e nisur për shqyrtim nga Gjykata Speciale, mund të konfirmohet nëse ajo bëhet publike, jo më vonë se paraqitja e parë e të dyshuarit para gjykatës.
“Rregullat e Procedurës dhe Provave parashikojnë që, nëse konfirmohet, një aktakuzë do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës’’.
Griep lë të kuptojë se konfirmimi ose jo, mund të ndodhë edhe pas periudhës gjashtëmujore hetimi, që nga paralajmërimi i saj.
Ndryshe derisa ajo të konfirmohet ose jo, çdo gjë rreth përmbajtjes së saj dhe rishikimit, mbetet sekrete.
“Përveç nëse dhe derisa një aktakuzë të bëhet publike, ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj”, shton ajo.