×
  • Lajme
  • Lajme

    Organizatat e dala nga lufta thërrasin protestë gjithëpopullore për të enjten

    Reporteri
    14 Qershor 2022 | 14:38

    Organizatat e dala nga lufta kanë thirrur protestë gjithëpopullore më 16 qershor, shkruan Reporteri.net.

    Ata kanë kundërshtuar votimin e projektligjit që i përjashton pensionet e veteranëve nga rritja e pagës minimale.

    Në reagim cilësohet i turpshëm kalimi i këtij projektligji, derisa bëhet thirrje për dalje masive.

    “Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30”, thuhet ndër të tjera në reagim.

    Reagimi i plotë:

    Kuvendi i turpit të Kosovës, deputetët e pushtetit (me ndonjë përjashtim) së bashku me pakicat, të rrethuar me forca policore, miratuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin e ligjeve, me anë të të cilit u përjashtuan veteranët e luftës së UÇK-së edhe nga paga minimale.

    Ata vepruan sot edhe kundërligjshëm e kundër aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, pra kundër ligjit 05/L-141 i cili thotë në nenin 16 A pika 3.1. “Deri në kategorimin përfundimtar të listës së Veteranit Luftëtar të UÇK-së, skema pensionale zbatohet siç është paraparë me ligjin bazik”, pra ligji bazik është ai që i lidhë veteranët me pagën minimale.

    Për shkak të këtij turpi të deputetëve të Kuvendit, Organizatat e dala nga Lufta e UÇK-së ftojnë protestë gjithëpopullore para institucioneve (Kuvend e Qeveri) me datën 16 qershor 2022 prej orës 09:30.

    Dalja sa më masive në protestë nënkupton mbrojtje të institucionit më të lartë, luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kategorive të saj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!