Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë thirrje për konstituimin e shpejtë të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë brenda afateve kushtetuese.
Osmani ka thënë se zhvillimet globale nuk e presin Kosovën.
“Ju po i shihni zhvillimet gjeopolitike, globi nuk na pret neve. Është me rëndësi që sa më parë të kemi konstituimin e Kuvendit dhe formimin e një qeverie brenda afateve. Kosova ka shumë punë për të bërë”, tha Osmani.
Ajo po ashtu tha se nuk përzihet në çështjen e koalicioneve. Osmani tha se në të kaluarën ka pasur presidentë që janë përzier në çështje të koalicioneve, por shtoi se këto janë çështje partiake.
“Siç e dini, si presidente nuk kam të drejtë vote dhe megjithëse në të kaluarën ka pasur raste kur presidentë janë përzier në çështje të koalicioneve, unë i konsideroj ato çështje partiake dhe si të sipas Kushtetutës, nuk janë detyrë e imja. Jam besimplotë që institucionet përkatëse, në këtë rast deputetët do të japin maksimumin për të siguruar që seanca të jetë e suksesshme”, ka shtuar Osmani.
Presidentja Osmani ka caktuar 15 prillin, si datë për seancën konstituive e Kuvendit të Kosovës.
Lajmin e ka konfirmuar Presidenca e Kosovës ditën e djeshme.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, u tha në njoftim./Reporteri.net/