Presidentja Vjosa Osmani ka caktuar 15 prillin, si datë për seancën konstituive e Kuvendit të Kosovës, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Lajmin e ka konfirmuar Presidenca e Kosovës, përmes një postimi në faqen zyrtare.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, thuhet në njoftim.
Gjatë kësaj seance zgjidhet kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, dhe deputetët e rinj bëjnë betimin.
Seanca e parë udhëhiqet nga deputeti më i vjetër dhe ai më i riu në sallën e Kuvendit.
Kryetarin e Kuvendit e propozon grupi më i madh parlamentar, në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje, siç përcaktohet në nenin 67 të Kushtetutës. Ai zgjidhet me shumicë të votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Deputetët duhet t’i zgjedhin edhe 5 nënkryetarë të Kuvendit, 3 prej të cilëve propozohen nga tri grupet më të mëdha parlamentare, kurse dy nga komunitetet joshumicë.
Ndërsa legjislatura e re e Kuvendit detyrë të radhës ka zgjedhjen e Qeverisë, presidentja i fton partitë politike parlamentare për konsultime.
Ajo më pas, siç parasheh pika e parë e nenit 95 të Kushtetutës, “i propozon Kuvendit kandidatin për Kryeministër, në konsultim me partinë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”.
Kandidati i caktuar për formimin e qeverisë më pas duhet ta paraqesë përbërjen e Qeverisë para deputetëve “jo më vonë se pesëmbëdhjetë (15) ditë”, pasi të jetë mandatuar, thotë pika e dytë.
Sikurse edhe kryetari i Kuvendit dhe nënkryetarët, Qeveria zgjidhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve (61 nga 120).
Nëse përbërja e propozuar e Qeverisë nuk e merr shumicën e votave të nevojshme, presidentja “brenda dhjetë (10) ditësh emëron kandidatin tjetër sipas së njëjtës procedurë”, parasheh Kushtetuta.
Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet Qeveria, atëherë presidentja “i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se dyzet (40) ditë nga dita e shpalljes së tyre”, thotë pika 4 e nenit 95 të Kushtetutës./Reporteri.net/