Nga Presidenca e Republikës së Kosovës kanë reaguar ndaj deklaratës së Bedri Elezit, i cili tha se ka dyshime që presidentja, Vjosa Osmani, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, janë përfshirë në spiunazh, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Këshilltari i presidentes Osmani, Bekim Kupina, në një postim në rrjetin social Facebook ka përgënjeshtruar deklaratën e Elezit, duke paralajmëruar se menjëherë do ngritet padi ndaj tij për shpifje të rëndë.
Presidenca ka theksuar se deklarimet e tilla cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare.
“Presidentja Osmani nuk ka negociuar për lirim të agjentëve të BIA-s, ndaj kjo është gënjeshtër e pastër e individit Bedri Elezi, për ç’gjë Presidentja menjëherë do të përgatisë padi. Ky deklarim i pa vërtetë dhe skandaloz, përbën shpifje të rëndë. Deklarime të tilla, cenojnë jo vetëm kredibilitetin e shtetit, por edhe sigurinë kombëtare.
Shpifjeve të tilla, Presidentja do t’u përgjigjet nëpërmjet rrugës ligjore”, shkroi Kupina.
Më tej presidentja Osmani u ka bërë thirrje Policisë dhe Prokurorisë që urgjentisht të ndërmarrin masa, bazuar në raportet e shumta të institucioneve të sigurisë, të cilat sipas saj, dëshmojnë aktivitetin e vazhdueshëm të Bedri Elezi në dëm të sigurisë kombëtare.
Ndryshe, Elezi në një postim në Facebook ka implikuar tre zyrtarët e lartë shtetërorë në veprime të dyshimta për spiunazh.
Për shefen e shtetit, Elezi ka thënë se dyshohet se ka negociuar për lejimin e largimit të anëtarëve të BIA-s në rastin e sulmeve ndaj Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit më 24 shtator.
Ndërsa, ai ka thënë se edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka pasur takime me Daniela Vujiçiq, një zyrtare të dyshuar të BIA-s.
Elezi ka përmendur edhe dyshimet për takime mes Mimoza Kusari-Lilës dhe Millan Radojiçiqit.
Deklarata e Elezit vjen pas arrestimit të dy shqiptarëve të Kosovës në Ferizaj të mërkurën, nën dyshimin se i kishin shërbyer Agjencisë Serbe të Inteligjencës (BIA).