Para objektit të Qeverisë së Kosovës është bërë ngritja solemne e flamurit të Republikës së Kosovës në 17-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë.
Me këtë rast presidentja Vjosa Osmani ka thënë se 17 Shkurti është ditë që kujton sakrificën shekullore, të cilën e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë.
“Është një ditë kur ne kujtojmë sakrificën shekullore, të cilën e ka bërë populli ynë në mënyrë që ta gëzojmë këtë ditë. Është një ditë kur festojmë sukseset e arritura të Republikës sonë në këto 17 vjet, duke forcuar sovranitetin, shtetësinë, subjektivitetin ndërkombëtar, sundimin e ligjit, demokracinë e ekonominë. Por poashtu është një ditë kur themi faleminderit nga zemra, për të gjthë ata që sakrifikuan dhe dhanë gjithçka, që sot ta festojmë këtë ditë të shenjtë”, ka thënë Osmani.
Ajo ka falënderuar Ibrahim Rugovën, Adem Jasharin me udhëheqjen e UÇK-së dhe të gjithë qytetarët që sakrifikuan me mund e gjak që të festohet kjo ditë.
“Do të ecim përpara sepse nuk ka asgjë që mund ta ndal Republikën tonë, të lirë, të pavarur, sovrane dhe të përjetshme”, ka thënë ajo. /Reporteri.net/.