×
  • Lajme
  • Lajme / Dita e Evropës

    Osmani i kërkon BE’së heqjen e masave ndaj Kosovës: Të padrejta

    Reporteri
    09 Maj 2025 | 15:12

    Presidentja Vjosa Osmani, në Ditën e Evropës, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës, shkruan Reporteri.net.

    Osmani ka thënë se për popullin e Kosovës, kjo ditë përfaqëson një dëshmi të përkushtimit të palëkundur, sepse ne besojmë në Evropë, pavarësisht “sfidave dhe padrejtësive gjatë këtij rrugëtimi”.

    “Në këtë ditë të shënuar, është me rëndësi që, me një zë, të kërkojmë heqjen e masave të padrejta të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, si dhe trajtimin me seriozitet të politikave destabilizuese të Serbisë—të cilat u bënë edhe më të dukshme edhe kur Vuçiq zgjodhi ta shënojë Ditën e Evropës në Moskë, pikërisht te Putini, ai që sot po rrezikon stabilitetin dhe sigurinë e kontinentit tonë.

    Që ëndrra e evropianëve për një Evropë të tërë, të lirë dhe të bashkuar të realizohet plotësisht, duhet të marrin fund politikat ndëshkuese ndaj popullit më pro-evropian dhe të ndalen politikat akomoduese ndaj Serbisë proputiniste”, ka shkruar Osmani.

    Ndryshe, Parlamenti Evropian ka miratuar të mërkurën rezolutën për Kosovën. Në këtë dokument kërkohet që dialogu me Serbinë të përmbyllet me një marrëveshje gjithëpërfshirëse. Një marrëveshje ligjërisht obliguese – e bazuar në njohjen e ndërsjellë.

    Në të njëjtin dokument, kërkohet edhe heqja e masave të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës. Thuhet se Kosova i ka përmbushur kriteret për këtë.

    Autori i draftit, eurodeputeti Riho Terras, i ka quajtur këto masa të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi.

    “Ne kërkojmë heqjen e menjëhershme të masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian. Ato kanë qenë të padrejta dhe të panevojshme që nga fillimi. BE-ja financon shumë projekte dhe programe të dizajnuara për të mbështetur axhendën evropiane në Kosovë. Kjo është arsyeja pse duhet t’i shfuqizojmë masat dhe ta lëmë Kosovën të përparojë me fondet që ofrojmë”, tha Riho Terras, raportues për Kosovën në Parlamentin Evropian./Reporteri.net

    Parlamenti Evropian miraton rezolutën për Kosovën, kërkohet heqja e menjëhershme e masave të BE’së

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!