×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Këto janë pesë shtyllat e programit qeverisës të LDK-së

    Reporteri
    12 Shtator 2019 | 12:54

    Pesë shtyllat e programit qeverisës të LDK-së, nëse kjo parti do të fitonte zgjedhjet më 6 tetor, janë 1 Qeverisja dhe administrata, 2 Familja, 3 Arsimi, 4 Shëndetësia dhe 5 Partneriteti ndërkombëtar.


    Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) tashmë ka përgatitur programin e saj qeverisës, me të cilin kandidatja për kryeministre , Vjosa Osmani synon të fitojë zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa brenda pak ditësh do të bëhet publik për qytetarët e Kosovës.Kështu bëri të ditur vetë Osmani gjatë debatit “Talk the Talk” në Kolegjin Riinvest.

    Ajo tha se do të ndajnë një pjesë të fondeve për infrastrukturë, shëndetësi, e cila ndodhet në një situatë emergjente.

    Sipas Osmanit, investimet në kapital njerëzor janë esenciale, teksa shtoi se një ndër gjërat që do të fokusohet nëse LDK merr qeverisjen e vendit, është fuqizimi ekonomik i gruas.

    “Ne nuk do të mbahemi në mend për autostrada, por në arsim, familje dhe shëndetësi. Për të ndodhur të gjitha këto, ne e kemi parë si parakusht sundimin e ligjit”, tha ajo, përcjell ksp.

    Osmani tregoi edhe 5 shtyllat kryesore të programit, qeverisja dhe sundimi i ligjit, familja, punësimi, arsimi dhe shëndetësia, dhe e fundit është partneriteti ndërkombëtar.

    “Ne e kemi një program me të cilin kemi punuar me Këshillin e ekspertëve tash 2 vjet. Shtyllat e programit arsimi, shëndetësia dhe sundimi i ligjit janë prioritetet tona. Programi është 200 faqe, dhe besoj se brenda 2-3 ditëve do të jetë i qasshëm në pika të shkurta dhe më gjerë për qytetarët. 5 shtyllat kryesore janë qeverisja dhe sundimi i ligjit, shtylla e dytë është familja, punësimi, arsimi dhe shëndetësia dhe e fundit është partneriteti ndërkombëtar”, tha Osmani.

    E një nga synimet kryesore të saj, Osmani tha të jetë familja.

    Duke u nisur edhe nga përvojat e saj si nënë, ajo tha se është me rëndësi që shteti të ndihmojë familjet.

    “Kemi paraparë 100 euro për familjet që kanë fëmijë të vegjël deri në moshën 1- vjeçare, për familjet që kanë të ardhura mujore më pak se 1 mijë euro. Dhe kostoja totale e kësaj është 18-20 milionë euro në vit, që është asfaltimi i një rruge. Është tepër e thjeshtë, pasi deri më tash shumica e parave kanë shkuar në afera korruptive. Çështja e dytë është pushimi prindëror, të dy prindërit kanë përgjegjësi të barabarta dhe për këtë duhet të kenë të drejta të barabarta. Çështje tjetër është blerja e banesave per herë të parë nga një çift, ku synojmë që përmes kredive me norme interesi prej 1 për qind, kthimi i kredisë të bëhet për 30-35 vjet”, tha ajo.

    Osmani tha se deri më sot nuk ka pasur asnjë interferencë nga ana e LDK-së në emërimin e ndonjë personi në ndonjë pozitë të gjyqësorit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!