×
  • Lajme
  • Lajme / Mbledhja e Komitetit të Ministrave

    Osmani: Kosova e meriton të bëhet anëtare e KiE-së

    Reporteri
    17 Maj 2024 | 20:29
    Bujar Osmani

    Kryediplomati i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, gjatë takimit të Komitetit të Ministrave në Strasburg, ka lobuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

    Osmani tha se Kosova e meriton të bëhet anëtare e Këshillit të Evropës dhe se anëtarësimi do të ndikojë edhe në stabilitetin e bashkëpunimit.

    “Është e një rëndësie të madhe që ne të mos i shmangemi përqafimit të anëtarëve të rinj që ndajnë vlerat dhe angazhimet tona. Kjo është arsyeja pse ne vazhdimisht e kemi mbështetur ofertën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe mirëpresim opinionin që rekomandon Komitetin e Ministrave që ta ftojë Kosovën për anëtarësim në këtë organizatë”, tha Osmani.

    “Besojmë se qytetarët e Kosovës meritojnë të mbrohen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet tjera dhe se anëtarësimi i hershëm do të lehtësojë vazhdimin e reformave dhe gjithashtu do të kontribuojë në stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal”.

    Sot, Kosova ka dështuar të jetë pjesë e agjendës së këtij takimi në Strasburg, për shkak të refuzimit nga Qeveria e Kosovës të kërkesave të Gjermanisë, Francës dhe Italisë për të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

    Ndërsa, gjatë ditës, kryesuesi aktual i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, ka bërë të ditur se ky komision është duke shqyrtuar se si të procedohet për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!