Në 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se 17 shkurti i vitit 2008 ndryshoi fatin e Kosovës përgjithmonë, duke shtuar se liria e vendit bartë edhe vulën e shteteve aleate, shkruan Reporteri.net.
Në pritjen shtetërore në shënim të kësaj dite, Osmani tha se aleatët qëndruan me popullin e Kosovës në ditët më të vështira.
“Liria jonë bartë edhe vulën e aleatëve tanë të cilët qëndruan me popullin tonë në ditët më të vështira, e të cilët vazhdojnë të qëndrojnë me ne të palëkundur. Ata ishin me ne në vitet më të errëta të historisë sonë, e vazhdojnë të qëndrojnë pranë popullit tonë përderisa Republika jonë shkruan kapituj të ri e vendimtarë në forcimin e shtetit”, tha Osmani.
Ajo tha se vendi do të ec përpara krah për krah me aleatët.
“Kosova është shtëpia jonë, krenaria jonë dhe përgjegjësia jonë më e madhe. Bashkë që të gjithë, me vendosmëri e unitet, krah për krah me aleatët tonë, do të ecim përpara. Sot e përherë le ta mbajmë lart flamurin e Republikës sonë dhe le ta dëshmojmë para botës se Kosova është dhe do të mbetet histori suksesi, një dritë shprese dhe një forcë e pathyeshme”, deklaroi Osmani.
Osmani tha se në këto 17 vite, Kosova ka ecur përpara.
“Rinia jonë ka shkëlqyer në sport, në shkencë, në art dhe në çdo fushë tjetër. Gratë tona me guxim e vision janë bërë shtylla të pandashme të zhvillimit të shtetit tonë…17 Shkurti sot e përgjithmonë është zotim për të ndërtuar një të ardhme ku çdo qytetar jeton me dinjitet, mundësi të barabarta e besim të plotë në shtetin e tyre”, shtoi ajo./Reporteri.net