U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani përshëndetë aktin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe shtetit të Izraelit, ceremoni kjo që pritet të mbahet sot.
Ajo ka vlerësuar se marrëdhëniet ndërmjet dy popujve tanë kanë qenë historikisht të fuqishme e të bazuara në solidaritet dhe miqësi.
“Akti i lidhjes së marrëdhënieve diplomatike hapë rrugën për thellimin e bashkëpunimit dypalësh ndërinstitucional si dhe në fusha të tjera të interesit të përbashkët”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
Sot me një ceremoni virtuale do të firmoset formalizimi i marrëdhënieve diplomatike mes Republikës së Kosovës dhe Shtetit të Izraelit.
Firmosja zyrtare e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike do të bëhet nga Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Izraelit, Gabriel Ashkenazi.
Në ceremoninë e nënshkrimit do të marrë pjesë edhe kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.
Njohja nga Izraeli është ndër arritjet më të mëdha për Republikën e Kosovës e cila është bërë e mundur falë Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Ky moment tejet i rëndësishme për ne, është përjetësim i miqësisë së gjatë, mes popujve tanë, që tani po kurorëzohet me lidhjen e marrëdhënieve diplomatike”, kishte thënë shefja e diplomacisë kosovare, kur kishte njoftuar se ceremonia e nënshkrimit do të bëhej më 1 shkurt.