Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka shprehur bindjen se Kosova mund të zbatojë njëanshëm marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
Megjithatë, ajo thekson se deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për këtë çështje.
“Është qëndrimi vetëm i imi, jo domosdoshmërisht i institucioneve tjera, e kam thënë, ka të bëjë me mënyrën të cilat ne i kemi shfrytëzuar në vitin 2007-2008. Atëherë kur Serbia nuk zbatonte, ne e kemi pasur me marrëveshjen tonë me partnerët, me aleatët edhe pse Kosova pakon e Ahtisarit e kishte zbatuar në mënyrë të njëanshme ajo çfarë kishte përfituar ishte pavarësia, njohjet, anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare”, thotë shefja e shtetit.
“Në qoftë se partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garanci të sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”, tha Osmani, për Kosova Press.
Ajo gjithashtu theksoi se Serbia nuk mund të veprojë sikur nuk ka asnjë detyrim dhe se nuk mund të kërkohet vetëm nga Kosova zbatimi i marrëveshjeve. Tha se para se të dërgohet drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese duhet të miratohet një akt juridik nga ana e Qeverisë.
“Pa një akt të tillë askush nuk mund ta dërgojë draftin e statutit në Gjykatë Kushtetuese, procedurat janë të qarta, Gjykata e ka sqaruar procedurën”, theksoi Osmani.