×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani në Slloveni: Kosova nuk e pranon Ballkanin e Hapur sepse nuk trajtohet barabartë

    Reporteri
    05 Korrik 2022 | 12:42

    Kosova nuk e pranon “Ballkanin e Hapur”, sepse nuk trajtohet si palë e barabartë, ka thënë të martën presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

    Gjatë një forumi të organizuar nga “Qendra për Perspektivë Evropiane”, Osmani ka thënë se Serbia e trajton Kosovën si “Kosova dhe Metohija”, dhe mbi bazën e kësaj refuzojnë.

    “Kosova është shtet dhe nuk është ftuar si e tillë”, ka thënë Osmani.

    Ajo po ashtu e ka përmendur edhe mbështetjen që ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavror i ka dhënë “Ballkanit të Hapur”.

    “Rusia i ka dhënë mbështetje Ballkanit të Hapur. Ne jemi për Procesin e Berlinit pasi na ofron më afër me Bashkimin Evropian”, ka thënë Osmani.

    Ajo ka shtuar se kanë shumë shqetësime në lidhje me Ballkanin e Hapur, pasi sipas saj “Serbia do ta dominonte atë”.

    Për Procesin e Berlinit, gjatë ditës  ka folur edhe kryeministri Kurti.

    Në tryezën e 26-të me radhë që organizohet nga Qeveria e Greqisë dhe prestigjiozja britanike “The Economist” me mbështetjen e Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, Kurti theksoi se Ballkani Perëndimor ka nevojë për ringjalljen e procesit të Berlinit.

    Kurti tha se ka shpresë të madhe në udhëheqjen e kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe politikave të tij drejt Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, ai tha se Scholz në Berlin dhe presidenti Biden në Washington do t’i japin frymë të re raporteve transatlantike.

    “Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor sigurisht që është Bashkimi Europian dhe deri atëherë neve na duhet Procesi i Berlinit me një fillim të ri nga kancelari Scholz dhe kam shpresë të madhe në udhëheqjen e tij. Me presidentin Biden në Shtëpi të Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin ne mund të rigjallërojmë urën transatlantike që në shekullin 21 është më e rëndësishme sesa ishte në shekullin 20”, tha Kurti. /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!