×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani në takim me emisarët evropianë: Qeveria e vetmja që ka legjitimitet të drejtojë dialogun me Serbinë

    Reporteri
    10 Mars 2020 | 12:51

    Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se procesi i dialogut duhet të udhëhiqet nga Qeveria e Kosovës, ngase kështu e ka përcaktuar Kushtetuta e vendit dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, por ky është edhe vullneti i qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet e 6 tetorit e kanë përcaktuar qartë se kush duhet t’u prijë proceseve në vend.


    Këto deklarata e kryeparlamentarja Osmani i ka bërë gjatë takimi që ka zhvilluar pak më parë me delegacionin nga Gjermania e Franca, të udhëhequr nga këshilltari i kancelares gjermane Angela Merkel, Jan Hecker dhe këshilltari i presidentit Emmanuel Makron, Emmanuel Bonne.

    Ajo gjatë këtij takimi ka thënë se Serbia duhet të tregojë se është e interesuar në fqinjësi të mirë dhe në normalizim të raporteve me Kosovën, duke ndërprerë fushatën ilegale të çnjohjeve dhe duke larguar barrierat jotarifore që ka vendosur në raport me vendin tonë.

    “Në takimin me ta, znj. Osmani nënvizoi edhe një herë përkushtimin e Kosovës që të zhvillojë politika të fqinjësisë së mirë. Jetësimi i marrëveshjeve të nënshkruara si edhe përafrimi drejt marrëveshjes përfundimtare që rezulton me njohje reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë interes i qytetarëve të Kosovës”, thekson komunikata e lëshuar për medie.

    Osmani ka shprehur gatishmërinë që ta vazhdojnë bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, por kërkoi edhe përkrahje në drejtim të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Sipas saj, Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për këtë proces, ndërsa Qeveria dhe institucionet e zgjedhura pas 6 tetorit po tregojnë përkushtim maksimal në luftën kundër korrupsionit.

    Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Francës dhe të Gjermanisë, z. Bonne dhe z. Hecker rikonfirmuan përkushtimin e vendeve të tyre për ta ndihmuar dhe mbështetur Kosovën në një proces të suksesshëm të dialogut dhe në procesin e integrimit në BE. ​

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!