Presidentja Osmani ka thënë se po diskutohen një “sërë opsionesh” rreth rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) sipas të cilës të gjitha pagesat në Kosovë nga 1 shkurti do të bëhen me vetëm me euro, vendim ky që përjashton dinarin nga qarkullimi.
Për vendimin që është paraparë të hyjë në fuqi nesër, Osmani tha se në dy ditët e ardhshme pritet të ketë një dakordim, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Presidentja shtoi se beson që në koordinim me aleatët do të arrihet një zgjidhje e pranueshme për të dy palët.
“Neni 11 i Kushtetutës përcakton qartë që Kosova duhet ta ketë në qarkullim vetëm një valutë. Është për keqardhje që kjo nuk është zbatuar deri më tani ashtu siç e kërkon Kushtetua. BQK ka kryer punën e vet, kurse sa i përket zbatimit në praktikë të këtij parimi janë duke u diskutuar një sërë opsione, të cilat në një anë do të respektonin nenin 11 të Kush, por në anën tjetër do të lënë një kohë për informimin e qytetarëve dhe bartjen e tyre të themi në llogari të reja në mënyrë që të mund të zbatohet pa asnjë problem dhe me përkrahje të plotë të shteteve aleate. Do të ketë një dakordim këto dy ditë dhe do të kemi edhe deklarata publike. Unë jam për atë që zbatimi të jetë i plotë dhe jo vetëm në letër. Dhe të gjithë e dimë që për të pasur zbatim të plotë na duhet edhe përkrahja e aleatëve tanë në mënyrë që të kemi zbatim të qëndrueshëm.
Nuk po aludoj që vendimi të shtyhet.
Unë po aludoj në një diskutim që ende është duke vazhduar dhe jam e bindur se i cili të gjejë një zgjidhje praktike në mënyrë që kushtetuta jon të zbatohet në çdo cep të caktuar edhe në praktikë, e jo vetëm të kemi dokumente, zbatimi i të cilave pastaj sfidohet”, tu shpreh Osmani pra mediave.
Banka Qendrore e Kosovës e nxori një rregullore të re javë më parë, e cila kërkon që të gjitha pagesat me para të gatshme kudo në Kosovë të bëhen vetëm me euro duke nisur nga 1 shkurti, duke i dhënë fund përdorimit të dinarit serb në vend.
Vendimi nxiti shumë reagime.
Qeveria Kosovës ka argumentuar se vendimi i BQK-së është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, por Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë thënë se ky vendim “ngre shqetësime në lidhje me ndikimin në veçanti në komunitetet me shumicë serbe”.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey Hovenier, edhe gjatë së hënës ka përsëritur thirrjen që të shtyhet vendimi për zbatimin e rregullores të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që euroja të jetë valuta e vetme për pagesa.
Kjo pas një takimi që Hovenier kishte me guvernatorin e BQK-së, Ahmet Ismaili.
Një kërkesë të tillë e pati edhe Bashkimi Evropian.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, tha se këtë çështje palët duhet ta zgjidhin në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga Brukseli.
Shtyrja e vendimit, që është paraparë të hyjë në fuqi më 1 shkurt, sipas BE-së, do të mundësonte që të adresohej ndikimi i mundshëm negativ te komuniteti serb në Kosovë.
Ndërkaq ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak i cili dje qëndroi në Kosovë dhe pati takime me krerët e shtetit, paralajmëroi se sot do të jepen më shumë informacione lidhur me këtë çështje nga ana e Qeverisë, duke mos dhënë më shumë detaje.
“E kemi përmendur këtë çështje në lidhje me vendimin e BQK-së, por nuk dua të veprojë si zëdhënës i qeverisë. Nesër do të kuptoni më shumë për këtë”, tha Lajçak para mediave gjatë ditës së djeshme.
Deri më tani, dinari, monedha zyrtare e Serbisë ka mundur të përdoret në objektet tregtare në të gjitha zonat me shumicë serbe në Kosovë. /Reporteri.net/