Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka shkruar për takimin që ka pasur sot me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron.
Osmani ka thënë se me Cameron diskutuan për partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe përkushtimin e ndërsjellë për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë.
“Fillim i vitit me aleatë të palëkundur të Republikës sonë.
Kënaqësi të mirëpres sot Sekretarin e Jashtëm britanik, Lordin Cameron, me të cilin diskutuam partneritetin Kosovë-Mbretëri e Bashkuar, thellimin e bashkëpunimit ndërshtetëror, forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës, si dhe përkushtimin tonë të ndërsjellë për paqe, siguri dhe stabilitet afatgjatë në rajon dhe më gjerë”, ka shkruar Osmani.
Ndërkaq sipas njoftimit nga Presidenca, Presidentja Osmani ritheksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në NATO, duke filluar me përfshirjen në Partneritetin për Paqe, si hap i domosdoshëm për të siguruar paqe dhe siguri afatgjate në rajon dhe më gjerë.
Ngjashëm, Presidentja Osmani potencoi rëndësinë e anëtarësimit në Këshillin e Evropës për fuqizimin dhe avancimin e mëtejmë të të drejtave të njeriut.
Në takim u diskutua edhe për situatën e sigurisë në rajon dhe më gjerë, me ç’rast Presidentja Osmani e informoi sekretarin Cameron për përpjekjet e vazhdueshme destabilizuese të Serbisë, përfshirë aktin e agresionit dhe aktin terrorist kundër Republikës së Kosovës më 24 shtator.
Presidentja falënderoi sekretarin Cameron për shtimin e trupave britanike në kuadër të KFOR-it, duke potencuar rëndësinë e bashkëpunimit për sigurinë e kufirit me Serbinë.
Në këtë drejtim, Presidentja foli edhe për grupet terroriste, të mbështetura nga Beogradi, të cilat vazhdojnë të krijojnë frikë dhe intimidim brenda komunitetit serb.
Pavarësisht kësaj, Presidentja Osmani theksoi se Kosova është shembull në rajon sa i përket të drejtave të komunitetit joshumicë, ndërsa riafirmoi përkushtimin e plotë të Kosovës për ta fuqizuar çdo qytetar, pa dallim.
Cameron, sot pas takimit me homologen e tij kosovare, Donika Gërvalla Schwarz, në një konferencë për media tha se Britania e Madhe do të vazhdojë mbështetjen për Kosovën, shkruan Reporteri.net.
“Britania e Madhe luan rol të rëndësishëm në Kosovë. Ne kemi dërguar më shumë se 600 trupa në Kosovë këtë vit. Jemi krenarë për trajnimet dhe mbështetjen që po ua japim, dhe jemi krenarë për suksesin që ata kanë këtu”, tha ai.
Cameron foli edhe për sigurinë në Kosovë.
“Le të flasim pak për sigurinë. Folëm për ekonominë, e cila ka shënuar rritje këtë vit, dhe ne duam të bëjmë edhe më shumë që t’ju ndihmojmë ekonomikisht. Duam t’ju ndihmojnë për jetesën e njerëzve tuaj. Folëm për luftën tuaj ndaj korrupsionit dhe atë që po bëni për të sunduar ligji. Këto janë fushat ku duam t’ju ndihmojmë. Ju keni pasur sfida të forta në korrupsion, por sfida kryesore është për të ndërtuar një shtet i cili është i sigurt për të gjitha komunitetet”, tha ai.
Cameron theksoi po ashtu se Britania e Madhe do të ndihmojë në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse.
“Faleminderit për të gjitha diskutimet, ne do të vazhdojmë t’ju ndihmojë juve për njohjen nga të gjitha shtetet mosnjohëse. Ne ju mbështesim juve”, tha Cameron./Reporteri.net/
Cameron: Britania do të ndihmojë në njohjen e shtetësisë së Kosovës nga shtetet mosnjohëse