×
  • Lajme
  • Lajme / Presidentja

    Osmani flet nga Zvicra për krizën institucionale në Kosovë: Jam e shqetësuar, por besoj që partitë politike do merren vesh

    Reporteri
    21 Maj 2025 | 18:42

    Presidentja Vjosa Osmani në konferencën për media të mbajtur në Zvicër ka folur edhe për ngërçin politik në Kosovë.

    Osmani shprehi shqetësimin e saj për vonesat në krijimin e institucioneve, sepse siç u shpreh ajo, barrën e paguajnë qytetarët.

    “Në Kosovë kemi pasur zgjedhje të lira e demokratike në shkurt të këtij viti dhe pas një periudhe janë certifikuar rezultatet zgjedhore. Më 15 prill është mbajtur seanca e parë e parlamentit, ku kanë filluar edhe përpjekjet e para për krijimin apo konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e Qeverisë. Tani ka kaluar më shumë se një muaj nga përpjekjet e para në këtë drejtim dhe fatkeqësisht ende nuk ka sukses. Mirëpo, edhe nëse e krahasojmë me shumë vende të ndryshme në Evropë, ka raste kur përpjekjet për krijimin e një koalicioni qeverisës zgjasin me muaj të tërë, pra nuk është jashtë normës evropiane. Kjo nuk do të thotë megjithatë qe ne nuk shqetësohemi për këto vonesa. Si president jam e shqetësuar për këto vonesa, sepse barrën e këtyre vonesave e paguajnë qytetarët e Kosovës. Me moskonsituimin e Kuvendit ne nuk arrijmë ta kemi një Kuvend funksional, ku mund të ratifikohen marrëveshjet ndërkombëtare dhe ka edhe dëme të shumta të cilat ne i mbajmë si barrë, si qytetarë të Kosovës për shkak të mungesës së Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha ajo.

    Ajo shprehi besimin se partitë së shpejti do të arrijnë marrëveshje dhe ta dalin nga ngërçi.

    “Megjithatë unë jam besimplotë që partitë politike të përfaqësuara në Kuvend, shumë shpejt do të arrijnë një marrëveshje për ta kaluar këtë situatë të tanishme, sepse saherë e vendosin vendin si parësor, interesat e shtetit para gjithçka tjetër, gjithmonë zgjidhja politike është afër”, u shpreh tutje Osmani.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!