Presidentja Vjosa Osmani ka konfirmuar se Komisioni Qendror Zgjedhor ka dërguar sot në Presidencë shkresën zyrtare me rezultatet e certifikuara të zgjedhjeve të 9 shkurtit, shkruan Reporteri.net.
Para gazetarëve, Osmani tha se brenda afatit prej 30 ditësh do ta thirrë seancën, pa dhënë ndonjë datë.
“Për momentin ekipi im ligjor është duke analizuar se sa mund të ketë nevojë për kohë për përgatitjen e kësaj seance, në mënyrë që kur të thirret seanca të jetë e suksesshme. Pra, të jetë i suksesshëm konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Gjithçka do bëhet brenda afatit kushtetues. Për momentin nuk mund të jap një datë sepse dua të jem e saktë, por shumë shpejt do ta kemi”, tha ajo.
Ndryshe, KQZ në mbledhjen e mbajtur dje ka votuar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke i hapur kështu rrugën krijimit të institucioneve të reja. Lëvizja Vetëvendosje ka votuar kundër certifikimit.
Sipas rezultatit përfundimtar, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para me mbi 390 mijë vota apo 42.30 për qind.
E dyta është Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me mbi 190 mijë vota, apo 20.95 për qind, pasuar nga LDK-ja me mbi 170 mijë vota, apo 18.27 për qind.
Në vendin e katërt është koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nismës Social-Demokrate me mbi 66 mijë vota apo 7.06 për qind dhe Lista Serbe ka siguruar mbi 39 mijë vota apo 4.26 për qind.
Sipas rezultateve, VV-së i takojnë 48 ulëse në Kuvend, PDK-së 24, ndërsa LDK-së 20 ulëse, AAK-NISMA me 8 deputetë dhe Lista Serbe 9 sosh./Reporteri.net