Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se takimi i djeshëm që pati me liderët e partive politike lidhur me ngërçin e krijuar për konstituimin e Kuvendit, nuk mund të cilësohet si i dështuar.
Ajo ka përsëritur deklaratën e djeshme se “kishte disponim minimal” për zgjidhje, teksa shtoi se nëse ky disponim nuk rritet, ka mënyra tjera për të ecur përpara, shkruan Reporteri.net.
Mirëpo, më e mira thotë se do të ishte që partitë të merren vesh mes vete për punën e Kuvendit.
E para e vendit theksoi nevojën urgjente për krijimin e institucioneve.
“Siç e thash dje, kishte një disponim minimal dhe ajo po shpresoj që rritet. Në qoftë se jo, ka mënyra tjera si mund të ecet përpara, por fatkeqësisht secila prej tyre merr kohë. Më e lehta, më e mira dhe më së shumti në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj do të kishte nëse partitë merren vesh se si të ecet përpara, me konstituimin e Kuvendit urgjent, sepse pastaj për krijimin e Qeverisë janë afatet konkrete dhe se nuk mund të ketë vonesa”, ka deklaruar Osmani para gazetarëve në Tiranë.
Pas takimit të djeshëm, Osmani paralajmëruar se do të ketë takime të tjera.
Ajo tha se duke filluar nga java e ardhshme, mund t’i takojë edhe ndaras secilin lider nëse ka nevojë.
Dje Osmani tha se mund ta çojë këtë çështje në Kushtetuese, por se aktualisht do të presin. Ajo shtoi se këtë mundësi e ka përmendur edhe në takim dhe se s’ka pasur kundërshtim për këtë.
“Kam shprehur gatishmërinë pas diskutimeve që të shohim rrugën përpara në qoftë se është e nevojshme, mirëpo për momentin mendoj që duhet të vazhdojnë përpjekjet për krijim me vetë vullnetin e partive, Nëse zvarritet shumë, janë disa opsione. Një opsion është vetë deputetët ta shfrytëzojnë këtë të drejtë. Mënyra tjetër është që unë si president ti drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, shtoi ajo./Reporteri.net