×
  • Lajme
  • Lajme / Për herë të parë

    Osmani pret delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që do t’i monitorojë zgjedhjet e 9 shkurtit

    Reporteri
    17 Janar 2025 | 14:55

    Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim një delegacion të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, të kryesuar nga Petra Bayr, i cili do t`i vëzhgojë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 9 shkurtit.

    Osmani ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) ndaj institucioneve të Kosovës dhe mirëpriti angazhimin e këtij misioni, i cili për herë të parë do t`i monitorojë zgjedhjet në Kosovë, shkruan Reporteri.net.

    “Në takim u theksua se zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025 janë zgjedhjet e para të rregullta që do të mbahen në përputhje me Ligjin e ri për Zgjedhjet e Përgjithshme, ndaj Presidentja vlerësoi këtë moment si një hap të rëndësishëm në përmirësimin e proceseve demokratike në vend”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Presidenca.

    Osmani ka theksuar nevojën për një fokus të veçantë në përfaqësimin e grave në të gjitha fazat e procesit zgjedhor, sikurse edhe  respektimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, duke siguruar qasje të plotë dhe të barabartë në qendrat e votimit.

    “Më tej, Presidentja Osmani, ka potencuar se Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, ndaj do të vazhdojë ta fuqizojë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe fuqizimin e sundimit të ligjit”, thuhet në njoftim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!