×
  • Lajme
  • Lajme / Njoftimi

    Osmani pritet sot në DASH, udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të Administratës Trump

    Reporteri
    05 Shkurt 2025 | 9:12

    Presidentja Vjosa Osmani do të pritet sot në Departamentin Amerikan të Shtetit, duke u bërë kështu udhëheqësja e parë kosovare që takohet me një zyrtar të Administratës Trump.

    Sipas njoftimit në webfaqen e DASH, Osmani do të takohet me Louis L. Bonon, zyrtarin e lartë në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroaziatike, shkruan Reporteri.net.

    “Në orën 9:30, zyrtari i lartë i Byrosë Bono takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani Sadriu në Departamentin e Shtetit”, thuhet në njoftim.

    Nga Presidenca e Kosovës nuk është lëshuar ndonjë njoftim për këtë takim. Njoftim s’ka pasur as që Osmani ka udhëtuar drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Vizita e Osmanit në DASH vjen dy ditë pasi i dërguari amerikan për misione të veçanta, Richard Grenell tha se Shteteve të Bashkuara u duhen partnerë të besueshëm në Ballkan, ndërsa Qeveria e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas tij, nuk është e tillë.

    “Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm. Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që e destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit”, shkroi Grenell në X./Reporteri.net

    Grenell për Kurtin: Po mashtron se është i afërt me SHBA-në

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!