×
  • Lajme
  • Lajme

    Osmani: Serbia vazhdon të mbaj peng fatin e 1622 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës

    Reporteri
    21 Dhjetor 2021 | 16:35

    Presidentja e vendit Vjosa Osmani ka vizituar sot ekspozitën “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë.

    Përmes një postimi në Facebook, Osmani ka thënë se në këtë ekspozitë shihet dhimbja e pafund dhe e vazhdueshme e familjarëve por edhe një shteti të tërë, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    E para e shtetit ka shtuar se Serbia vazhdon të mbajë peng fatin e 1622 personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës.

    “Dhembja për 1622 personat e zhdukur me dhunë është e vazhdueshme dhe bëhet edhe më e rëndë, duke e ditur faktin se edhe më tej mbahen peng në Serbi, pikërisht në vendin që është fajtor për zhdukjen e tyre të dhunshme. Nëpërmjet ekspozitës, fati i të zhdukurve tanë tregohet në mënyrë autentike para publikut, duke trokitur në ndërgjegjen e secilit, ngase ata janë mungesë jo vetëm për familjet, por edhe për shtetin tonë. Gurët e kësaj ekspozite janë secili nga të zhdukurit, janë përditshmëria e dhimbshme e secilës familje që pret epilogun e ankthit mbi 22 vjeçar”, ka shkruar Osmani në Facebook.

    Osmani ka shtuar se shpreson që kjo ekspozitë të vizitohet nga të gjithë qytetarët.

    “Shpresoj që kjo ekspozitë të vizitohet nga të gjithë qytetarët tanë dhe poashtu ta bëjë rrugëtimin e saj nëpër vende të ndryshme, për t`i dëshmuar botës tragjedinë tonë, dhimbjen tonë, të vërtetën tonë! Ruajtja e kujtesës historike është ndër dëshmitë më të fuqishme për atë çfarë ka ndodhur në Kosovë”, ka shkruar ajo.

    “Më i mirë ish varri sesa mos me ditë”, është ekspozitë në kujtim të 1622 personave të zhdukur gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, duke përfshirë vitet 1998-2000.

    Ekspozita e artistit Driton Selmani, është realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë, ndërsa kuratore është Blerta Hoçia.

    Ekspozita do të qëndrojë e hapur për vizitorë deri më 31 janar 2022. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!