×
  • Lajme
  • Lajme / Vizita

    Osmani: Sllovenia është aleate e palëkundur e së ardhmes sonë euroatlantike

    Reporteri
    01 Korrik 2024 | 19:35

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim kryetaren e Kuvendit Kombëtar të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.Në takim u diskutua për rëndësinë e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet të dy vendeve, duke konfirmuar gatishmërinë për avancimin e mëtejshëm të tyre.

    Gjatë takimit, presidentja Osmani shprehu vlerësimin e thellë për mbështetjen e palëkundur të Sllovenisë në rrugën e Kosovës për liri, pavarësi dhe shtetndërtim.

    Sipas presidentes Osmani, Sllovenia është mike dhe aleate e fuqishme e Kosovës, ndaj i shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë në forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës.

    “Sllovenia dhe Kosova kanë një lidhje të fortë dhe ne jemi të përkushtuar të punojmë së bashku për t’i adresuar sfidat e përbashkëta dhe për të shfrytëzuar mundësitë e shumta për bashkëpunim. Përmes bashkëpunimit, ne mund t`i arrijmë qëllimet tona të përbashkëta dhe të kontribuojmë në ruajten e stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe përtej”, ka theksuar Osmani.

    Sipas saj, Kosova është shembull pozitiv në rajon me progresin në fushën e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, transparencën, qeverisjen e mirë dhe respektimin e të drejtave të njeriut.

    Osmani theksoi se synimi i politikës së jashtme të Kosovës mbetet i fokusuar në forcimin e pozitës ndërkombëtare dhe anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, me ç’rast potencoi edhe rolin e rëndësishëm të diplomacisë parlamentare.

    Në këtë linjë, Osmani shtroi nevojën e vazhdimit të mbështetjes sllovene për anëtarësim në BE, NATO, sikurse edhe në organizata ndërkombëtare.

    U diskutua edhe për rëndësinë e bashkëpunimit ndërparlamentar të grupeve të miqësisë ndërmjet dy parlamenteve dhe shkëmbimit reciprok të përvojave.

    Diskutimet u fokusuan edhe në një gamë të gjerë temash, duke përfshirë rritjen e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, teknologjisë informative, fuqizimin e grave dhe të rinjve, etj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!