Presidentja Vjosa Osmani ka pritur në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka folur për situatën e krijuar nga moskonstituimi i Kuvendit dhe raportet ndërmjet dy vendeve, shkruan Reporteri.net.
Sipas njoftimit të lëshuar nga Presidenca, Osmani dhe Hargreaves theksuan rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar në fusha me interes të përbashkët, si mbrojtja, sundimi i ligjit dhe zhvillimi ekonomik.
“Në këtë kontekst, Presidentja Osmani, theksoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si garanci për paqen dhe stabilitetin në vend dhe në rajon. Presidentja shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e institucioneve demokratike të Kosovës, duke e cilësuar atë si një partner strategjik”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, sot do të bëhet përpjekja e 27’të për konstituimin e Kuvendit.
Seanca, e cila ishte paraparë të mbahej të premten, është zhvendosur për një ditë më herët për shkak të festës zyrtare të Kurban Bajramit. Ajo do të nisë në ora 11:00.
Sipas rregullores së Kuvendit, propozimi për kryetar i takon ekskluzivisht partisë fituese të zgjedhjeve, Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), e cila ka nominuar Albulena Haxhiun.
Partitë e tjera kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun dhe Vetëvendosje nuk po heq dorë nga nominimi i saj./Reporteri.net