Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim Komandantin e KFOR’it, Enrico Barduanin.
Sipas njoftimit të lëshuar nga KFOR, në këtë takim është folur për situatën aktuale dhe bashkëpunimin mes KFOR’it dhe institucioneve të Kosovës.
Barduani i ka shprehur Osmanit shpresën për zgjidhjen e shpejtë të ngërçit politik aktual, në mënyrë që të mund të rifillojë menjëherë trajtimi i sfidave më urgjente për rajonin, shkruan Reporteri.net.
“Ai gjithashtu nënvizoi se KFOR-i vazhdon të bashkëpunojë mirë me institucionet e sigurisë në Kosovë, dhe se është e rëndësishme të komunikojnë e të punojnë së bashku për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në vend”, thuhet në njoftim.
Për takimin, ka dalë me njoftim edhe Presidenca.
“Presidentja Osmani potencoi sfidat aktuale të sigurisë në Kosovë, me theks të veçantë tek siguria kufitare dhe domosdoshmëria për parandalim dhe shmangie të çdo përpjekjeje për destabilizim nga Serbia.
Më tej, Presidentja vuri në dukje rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe angazhimit të ndërsjellë”, thuhet në njoftim./Reporteri.net