×
  • Lajme
  • Lajme / Zhvillimet në veri

    Osmani takon ambasadorët e shteteve të QUINT-it dhe BE-së: Sulmi në Ibër Lepenc, rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit

    Reporteri
    30 Nëntor 2024 | 13:39

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim, ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe ambasadorin e BE-së, për të diskutuar zhvillimet e fundit në vend, pas sulmit të fundit terrorist në kanalin e sistemit Ibër-Lepenc, në fshatin Varagë të Zubin Potokut, shkruan Reporteri.net.

    Gjatë takimit, Presidentja Osmani ka potencuar cenimin që i është bërë sigurisë kombëtare të Kosovës përmes sulmeve në infrastrukturën vitale.

    Në takim u diskutua për reagimin e institucioneve përgjegjëse karshi kësaj situate, me ç’rast si Presidentja Osmani, sikurse edhe ambasadorët kanë bërë vlerësimin më të lartë për menaxhimin dhe punën e bërë.

    Në të njëjtën kohë, Presidentja Osmani theksoi sulmet sikurse ky i fundit synojnë jo vetëm destabilizimin e Kosovës, por paraqesin rrezik serioz për stabilitetin e gjithë rajonit.

    Presidentja Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë sulm terrorist dhe të qëndrojë e bashkuar kundër çdo përpjekjeje për të minuar paqen dhe sigurinë në Kosovë. Po ashtu, ajo ritheksoi se parandalimi i sulmeve të tilla në të ardhmen duhet të jetë fokusi kryesor.

    Në vazhdim të ditës, Presidentja do t’i takojë edhe institucionet e sigurisë në vend. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!