×
  • Lajme
  • Lajme / Takimi me Ragnar Almqvist

    Osmani takon ambasadorin irlandez: Heqja e masave do të ishte mesazh i fuqishëm për Kosovën, për të kontribuar në vizionin e përbashkët të BE-së

    Reporteri
    12 Mars 2025 | 15:39

    Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Irlandës në Kosovë, Ragnar Almqvist, me të cilin ka diskutuar mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve.

    Në njoftimin e Presidencës, thuhet se në takim, Presidentja Osmani ka falënderuar Irlandën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës, veçanërisht në proceset integruese evropiane dhe përkrahjen në organizatat ndërkombëtare.

    Ajo ka theksuar rëndësinë e partneritetit me Irlandën, si një vend me vlera të përbashkëta demokratike dhe një aleat i çmuar i Kosovës.

    Tutje Presidenca njofton se ndër temat kryesore të diskutimit ishte nevoja për heqjen e masave të padrejta, të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës, duke nënvizuar se heqja e tyre do të ishte një mesazh i fuqishëm për Kosovën për të kontribuar tutje në vlerat dhe vizionin e përbashkët të BE-së.

    “Presidentja dhe Ambasadori Almqvist kanë biseduar edhe për avancimin e Kosovës në rrugën e integrimit evropian dhe rëndësinë e mbështetjes nga partnerët ndërkombëtarë në këtë proces”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!