Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në Ditën e Kushtetutës ka rikonfirmuar përkushtimin e institucioneve për zbatimin dhe afirmimin e vlerave të një shoqërie demokratike, shkruan Reporteri.net.
E para e vendit ka thënë se Kushtetua është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpjeton procesin integrues të Kosovës në familjen. euroatlantike.
“Sot, në ditën e miratimit të Kushtetutës, e cila është normë supreme që përcakton identitetin dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike, rikonfirmojmë përkushtimin tonë institucional për zbatimin dhe afirmimin e këtyre vlerave.
Kushtetuta jonë është udhërrëfyese, ndaj zbatimi pakompromis i saj na ndihmon dhe përshpejton procesin tonë integrues drejt familjes së madhe euroatlantike”, ka thënë Osmani.
Sot bëhen 16 vjet që nga miratimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Miratimi i saj ishte një moment historik që shënoi fillimin e një epoke të re për Kosovën.
Kushtetuta e Kosovës u ratifikua më 9 prill 2008 dhe hyri në fuqi më 15 qershor të të njëjtit vit. Si akti më i lartë juridik në vend, Kushtetuta e Kosovës u garanton të drejtat dhe liritë themelore të të gjithë qytetarëve të vendit.
Nëpërmjet Kushtetutës së saj, Kosova është definuar si një shtet i pavarur dhe sovran, me një sistem demokratik të qeverisjes dhe me respektimin e të drejtave dhe lirive të njeriut si vlera themelore të shoqërisë. Kushtetuta e Kosovës gjithashtu mbron dhe promovon diversitetin kulturor dhe gjuhësor të vendit dhe siguron një ambient të sigurt dhe paqësor për të gjithë qytetarët e saj./Reporteri.net/