×
  • Lajme
  • Lajme

    P.S: I Don’t Love You

    Reporteri
    17 Janar 2020 | 13:01

    Pak kush besonte se mes tyre do të fillonte një romancë politike. Nga dy krah që urreheshin, madje deri në dhunë, në një krah të dashurisë e shpresës. Por, duket se gjithçka ishte genjeshtër mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan Reporteri.


    Si lindi dashuria mes tyre?

    Fillimisht kishte dhunë e tradhëti. Në kohën kur Isa Mustafa ishte Kryeministër, Lëvizja Vetëvendosje e sulmoi edhe fizikisht, me molotov në shtëpinë e tij, me gaz, sprej e vezë në institucione.

    I thanë ‘Isë, Isë argat i Serbisë’. Kjo sjellje e VV-së, që kundërshtonte një marrëveshje që Mustafa kishte nënshkruar me Serbinë dhe Demakracioni me Malin e Zi, bën që LDK të bie nga froni.

    U formula qeveria e ‘Krahut të Luftës’. Dhe, momenti kishte ardhur.

    Në një natë dhjetori, me datë 22 të vitit 2018, kishte një iniciativë për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale.

    VV e LDK në opozitë, u mblodhën bashkë e dolën kundër. Këtë madje e pohon edhe Vjosa Osmani, nënkryetarja e LDK-së.

    “Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës”, thotë ajo.

    Kështu më pas filluan me tema të tjera.

    Ajo që pak dukej e mundshme por e domosdoshme, ndodhi.

    Isa Mustafa dhe Albin Kurti e falën njëri-tjetrin për gabimet. Kurti Mustafën për “tradhëtinë” që ia “bëri” Kosovës sa ishte kryeministër e Mustafa Kurtin për sulmet me gaz, molotov e sprej, shkruan Reporteri.

    Thanë se projekti për Kosovën është më i madh se inatet e ngjarjet mes tyre.
    Takimet me fytyra të buzëqëshura ishin diçka e mirëpritur nga ndjekesit e të dy palëve.

    Pas shumë e shumë takimeve, nismave të përbashkëta në Kuvend, bojkoteve e protestave, erdhi “koha e dasmes”.

    Diskutuan gjatë që të shkojnë me një listë të përbashkët në zgjedhje, por patën disa mospajtime.

    Megjithatë, u dakorduan se më 6 Tetor 2019, cilado që do të kurorzohej e para do të “kurorzonte” një qeverisje të përbashkët.

    Filloi bukur, me lumturi e ngjyra. Albini ishte fituesi dhe premtoi se për 72 orë pas certifikimit të zgjedhjeve, Qeveria do të bëhej.

    Kur u duk se po fillonin të “hynin në banesën e re”, panë se dikush dëshiron dominim apsolut e dikush një trajtim më dinjitoz e të barabartë.

    Konflikti filloi me atë se “kush ku ka qenë, se kush çka ka berë se kush çka meriton, se kush po kërkon shumë”. Tipike të një “martese” të panatyrshme.

    Filluan ta befasojnë njëri-tjetrin me video-mesazhe e letra.

    Takoheshin e refuzoheshin.

    Dhe ata tashmë duket se nuk janë bashkë. Ndonëse po përpiqen nga distanca të shpëtojnë një ‘lidhje’ që tashmë nuk ngjitët më.

    “Dashuria” mes LDK-së dhe VV-së, vetëm në mrekullinë më të madhe, mund të kurorzohet. Ajo është e destinuar për të qenë jetëshkurtër.

    Një letër plot mllef iu drejtua dje Isa Mustafës nga Albin Kurti.
    I tha madje se ka sjellje diktatori e monarki, dhe se po ikën nga takimet.

    Ani pse deklaroi se nuk lëshon pë nga kërkesat e tij dhe e ofendoi, e ftoi të takohen sërish e të gjejnë marrëveshje.

    LDK nuk ktheu letër por foli duke thënë se ‘nuk e konsideron zyrtare’ letrën e Kurtit.
    Nuk dihet nëse do të ketë takime të tjera, apo fundi do të shpallet me letra.

    Ajo që dihet është se tash e 100 ditë, kjo ‘dashuri’ ishte plot dhimbje e ngatërresa.

    Kur ata që duhen, shkëmbëjnë letra, në fund zakonisht shkruajnë, “P.s I love You”.

    Mes LDK-së dhe VV-së do të ketë ndoshta nga një letër të fundit, e ku ndër të tjera do të shkruhet: P.S: I don’t love you. /Reporteri/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!