×
  • Lajme
  • Lajme / Ngërçi politik

    Pa marrëveshje për t’i dhënë fund bllokadës, nesër tentativë e re për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    28 Qershor 2025 | 23:14

    Deputetët do të mblidhen  nesër në një përpjekje të re, të 38-ën me radhë për ta konstituuar Kuvendin. 

    Në seancën e së premtes, partitë politike janë pajtuar që ta ndërprejnë seancën pas një konsulte që mbajtën lidhur me aktgjykimin e Kushtetueses, shkruan Reporteri.net.

    Palët u pajtuan që seanca e paraparë për të premten të mbahet pas takimit të Kurtit me krerët e partive politike, takim ky që u mbajt sot e që nuk prodhoi ndonjë rezultat.

    Pas më shumë se dy orësh diskutimesh, takimi i thirrur nga kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me liderët e partive parlamentare për të dalë nga ngërçi institucional, përfundoi pa ndonjë marrëveshje konkrete. Përfaqësuesit e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, dolën nga takimi me kritika ndaj Kurtit dhe Vetëvendosjes, duke e quajtur këtë takim një farsë dhe pa asnjë vullnet real për kompromis, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në anën tjetër Kurti deklaroi se VV-ja si fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit kishte ofruar dy opsione kompromisi, por ato ishin refuzuar nga ish-opozita. Ai theksoi se partia e tij ka përgjegjësi për formimin e qeverisë, por formimi i Kuvendit është përgjegjësi e përbashkët, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

    “Propozimet e kompromisit”, siç i ka quajtur Kurti, kanë të bëjnë me votimin e fshehtë dhe votimin në pako të kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve.

    Kurti akuzoi PDK-në dhe LDK-në për keqlexim të aktgjykimit të Kushtetueses.

    “Kompromisi i parë ishte që në rast të votimit të fshehtë nëse Haxhiu nuk i merr 61 vota, siç tha edhe vetë Haxhiu dje, tërhiqet nga kandidatura. Këtë e ka bërë njëanshëm, por unë e respektoj si qëndrim i saj personal. Me votim të fshehtë për Haxhiun do të votohet pra vetëm një herë. Ne kemi lëvizur në situatën para së enjtes, por kjo nuk duhet se u kishte bërë përshtypje partive opozitare. Kompromisi i dytë që ua shpreha ishte që le ta bëjmë një marrëveshje politike e që është marrëveshje në paketë për kryetarin dhe nënkryetarët dhe pastaj nëse kurrqysh nuk e duan votimin e fshehtë le ti delegojnë përfaqësuesit e tyre në këtë komision dhe ta rrëzojnë me votë këtë komision. Ne e dimë që partitë opozitare kanë treguar preferenca për emrat për kryeparlamentar, por kjo nuk është mënyra si ndërtohen shëndetshëm institucionet. Ne i bëmë këto dy kompromise që u refuzuan, por megjithatë takimi ia ka vlejtur sepse u sqaruan shumë gjëra, e një nga to që është e çuditshme dhe brengosëse, është që për bindjen time të fuqishme partitë opozitare, PDK dhe LDK e kanë keqlexuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe po e keqinterpretojnë atë publikisht”, tha Kurti.

    Gjykata Kushtetuese ka konstatuar të enjten që seanca konstituive e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës duhet të përfundojë më së voni për 30 ditë.

    Partitë politike kanë dalë me interpretime të ndryshme rreth këtij vendimi./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!