Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen nesër (e mërkurë) për të 12-tën herë në përpjekje për konstituim.
Kuvendi i Kosovës ka njoftuar se vazhdimi i seancës së nisur më 15 prill do të vazhdojë të mërkurën në ora 10:00, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Kuvendi i Kosovës dështoi edhe të hënën në përpjekjen e 11 konstituimin e tij.
Pozicionet e partive politike mbesin të pandryshuara një ditë para vazhdimit të seancës, ndonëse të hënën kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti i dërgoi një letër kryetarit të Lidhejs Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ku i kërkoi koalicion.
“Po ju drejtohem me këtë letër meqë nuk u takuam ende. Deputetët e LDK-së, së fundmi kanë deklaruar publikisht se për të ecur përpara në legjislaturën e nëntë, fillimisht me konstituimin e Kuvendit, nevojitet marrëveshje politike. Si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministër në detyrë i Republikës së Kosovës, jam i interesuar dhe i vullnetshëm për marrëveshje politike”, thuhet në letrën e Kurtit thuhej në letrën e Kurtit.
Ndonëse vazhdimi i seancës është caktuar për nesër, LDK ende nuk i ka kthyer përgjigje ofertës së Albin Kurtit.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, dje u përgjigj shkurt se “qëndrimet e LDK-së tashmë i dini”.
Por, nënkryetari Gazmend Muhaxheri, dje la të kuptohet se mund të ketë edhe një mbledhje të Kryesisë së partisë.
Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxeri, ka thënë në “Pressing” të T7 se do të mblidhet kryesia e LDK-së.
“Mua më përngjajke letra sikur kur i drejtohej profes së nderuar Isa Mustafës. Atëherë ishte një shpresë që mund të behej diçka e të mësonin diçka prej nesh këta, por gjatë qeverisjes 51 ditësh që u pa që këta nuk e kanë një njet me qeverisë për interesa të vendit, por interesa të veta”, ka thënë Muhaxheri
Ndërkohë, PDK, partia e dytë e dalë nga zgjedhjet akuzojnë Vetëvendosjen për shkelje të rregullave e procedurave në mungesë numrash.
Në asnjërën nga përpjekjet e përsëritura, e propozuara e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, nuk mori më shumë se 57 vota nga së paku 61 vota sa kërkohen.
Ndryshe prej seancave paraprake, në dy vazhdimet e fundit LVV-ja nuk e ka propozuar direkt Haxhiun për kryeparlamentare, por nëpërmjet kryesuesit të seancës ka kërkuar që votimi për të të bëhet në mënyrë të fshehtë.
Partitë e tjera nuk e kanë pranuar këtë opsion, duke bërë që të mos i marrë votat e mjaftueshme Komisioni për mbikëqyrje të kësaj procedure.