Ish-presidenti Hashim Thaçi është sjellë nga Haga në Kosovë tri ditë pas varrimit të babait. Ai është lejuar të vizitojë varrin e babait të tij të ndjerë në Burojë të Skenderajt, ndërsa do të lejohet të qëndrojë edhe me familjarët e tij të ngushtë.
Kështu kanë konfirmuar nga Gjykata Speciale në një përgjigje për gazetën online Reporteri.net.
“Po. Për arsye bindëse humanitare, trupi gjykues dhe gjyqtari i procedurës paraprake kanë udhëzuar Sekretarin që të menaxhojë një vizitë të mbikëqyryr në Kosovë për Hashim Thaçin që t’i bëjë nderimet dhe të jetë me familjen e ngushtë. I akuzuari mbetet në paraburgim dhe në paraburgim nga Dhomat e Specializuara”, ka konfirmuar zëdhënësi i Gjykatë Speciale, Michale Doyle për Reporteri.net.
Haxhi Thaçi, vdiq të dielën pas një sëmundje të rëndë, ndërsa u varros të martën në Burojë të Skenderajt.
Ai një kohë ishte i shtrirë në spital, për shkak të gjendjes së keqe shëndetësore.
Pak ditë para se ai t’i mbyllte sytë, atë në spital e vizitoi djali i tij, ish-presidenti Hashim Thaçi. Thaçi të enjten e kaluar qëndroi në Kosovë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa babai i tij mbylli sytë tri ditë më pas./Reporteri.net/